Pas përjashtimit të ministrave të Berishës/ Basha nxjerr jashtë loje edhe LSI me aleatët, Mediu, Ndoka, Vasili, Gjosha e Haxhinasto s’kanë vend në qeveri

0
356

Vendimi i kryedemokratit Lulzim Basha për të mos futur në qeveri asnjë ish-ministër do të prekë edhe aleatët. Ka qenë kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila në një intervistë televizive u shpreh se kushdo që ka qenë në qeveri të mëparshme nuk do të ketë vend në qeverinë e Bashës. Ajo tha se rregulli për mos përfshirjen e ish-ministrave në qeverinë e re do të funksionojë edhe për aleatët. Sipas saj ekipi i qeverisë së ardhshme do të përbëhet vetëm nga njerëz me integritet, të cilët do t’i përcaktojë kreu i PD. “Z. Basha ka ekipin e vet, që e ka nxjerrë në listën e vet dhe sigurisht që do të qeverisë me ekipin e tij, është normale apo jo? Ekipi i qeverisë së ardhshme do të përbëhet nga individë me integritet. Se kush do të jetë nesër në ekipin qeverisës i takon kryeministrit të ardhshëm, nuk e caktoj dot unë. Rregulli se ish-ministrat nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar do të zbatohet edhe për aleatët, por nuk e them dot unë duhet të pyesni z. Basha. Ne i kemi marrë kostot tona, kemi pasur një opozitë të vështirë. Janë pranuar të gjitha gabimet që kemi bërë. Ekipi i ri qeverisës do të jetë ekip me integritet, me emra, pa numra, me individë”, u shpreh ish-deputetja e PD. Në lidhje me një mundësi bashkëqeverisje me Partinë Socialiste, Tabaku e mohoi menjëherë teksa u shpreh se nuk mund të ketë bashkëqeverisje me një qeveri, e cila ka shkaktuar vetëm depresion. Ish-deputetja tha se Partia Socialiste ka në fokus rendin, krimin dhe bandat. Sipas saj PD do t’i fitojë bindjet dhe do të bëjë ndryshime thelbësore në çdo fushë që ka nevojë. “Nuk ka absolutisht një bashkëqeverisje PD-PS. PD do të jetë forcë fituese, aleanca opozitare do jetë force fituese. Nuk ka asnjë mundësi që ne të shkojmë në qeveri në atë që ka shkaktuar depresionin më të madh në 30 vitet e fundit me PS. Rendi, krimi, bandat. PD do ta shikoni se do t’i fitojë zgjedhjet bindshëm për të bërë ndryshime thelbësore edhe për ato fusha që kanë nevojë”, u shpreh Tabaku.

Emrat e aleatëve që mund të mbeten jashtë qeverisë Basha

Disa nga emrat e aleatëve që pritet të nxirren jashtë qeverisë nga LSI janë: Petrit Vasili, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë, Edmond Haxhinasto i cili ka qenë ministër i Transportit dhe Klajda Gjosha e cila ka qenë ministre e Integrimit. Nga aleatët e tjerë, Fatmir Mediu ka qenë ministër i Mbrojtjes ndërsa Nard Ndoka ish-ministër i Shëndetësisë. Në postin e zv.ministrit, kemi Nora Malaj ish-zv.ministre e Arsimit, Bahri Shaqiri ish- zv.ministër i Transportit dhe Erisa Xhixho ish-zv.ministre e Integrimit. Po ashtu në qeverinë e Fatos Nano, Vangjel Tavo ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe Luan Rama ministër i Brendshëm. Kujtojmë se kreu i PD Lulzim Basha është distancuar shumë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Sipas rregullit për përjashtimin nga qeveria të kujtdo që ka pasur postin e ministrit, duket se ka shumë emra të rrezikuar për të ngelur jashtë si nga PD ashtu dhe nga aleatët e saj. Kryedemokrati pak ditë më parë u shpreh se në qeverinë e tij do të ketë anëtarë të rinj me integritet dhe profesionalizëm, të cilët do të krijojnë një kulturë të re politike ndryshe nga këto 30 vite. Sipas tij përqasja ndaj qeverisjes në këto 30 vite, do të ndryshojë dhe do t’i japë fund tranzicionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here