Autoritetet shëndetësore në vend premtojnë se afro 606 mijë të moshuar deri në 60 vjeç do të vaksinohen deri në fund të muajit Maj. 278 mijë personat e parë që po kryejnë vaksinimin janë të moshuarit nga 70 vjeç e sipër. Sipas Zv/Ministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini, ritmi i vaksinimeve në vend ka tejkaluar pritshmëritë.
“Ditë e para ka një ritëm shumë të mirë dhe parashikojmë që ky ritëm të përvijojë i tillë përkundrejt fundit muajit të muaj Maj, javën e parë të Qershorit ne parashikojmë për vaksinimin e popullatës në nivelin e gjysmë milioni”, u shpreh Tomini.
Tomini thotë se në javën e parë të Prillit pritet të mbërrijnë edhe dozat e tjera nga Pfizer, të parashikuara në kontratë.
“Me Pfizer janë katër prurje të njëpasnjëshme. Më pas është sasia e dytë e CoronaVax-it e cila do të vijë në vijim të javëve të Prillit. Në kuadër të instrumentit Covax vjen sasia tjetër e kontraktuar”.
E pyetur për situatën epidemike në vend, Tomini thotë se ka një rënie të pozitivitetit.
“Niveli i pozitivitetit duket në rënie. Ky cikël tentohet të ringrihet në krye të 5 javëve. Bën këtë ciklin 5-javor. Ne themi që jemi në një situatë me një tendencë në ulje”.
Megjithatë ekspertët i druhen një rritje të kurbës së infektimeve, për këtë arsye kërkojnë që të vijohet me respektimin e masave anti-Covid. / Tv Klan








































