Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë forcuar mbështetjen ndaj SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe manipulimit të zgjedhjeve. Prokuroria e Posaçme ka marrë në dorë disa dosje të bujshme, ndërkohë që kompetencë e saj do të jenë edhe krimet zgjedhore. Shitblerja e votës, korrupsioni politik, ndryshimi i zgjedhjeve dhe shkelje të tjera do të hetohen nga SPAK. Dosjet “339” dhe “184” ishin një sinjal se çfarë bëhet para zgjedhjeve dhe këtë herë kanë hyrë në lojë amerikanët, për të mos lejuar më diçka të tillë. Ambasada e SHBA ka sjellë në Tiranë një ndër kampionët e luftës kundër korrupsionit në Amerikë zotin Richard Pilger, i cili bashkë me këshilltarin e OPDAT, Constantine Soupious, kanë nisur trajnimin e prokurorëve të SPAK në fushën e korrupsionit, sidomos në procesin zgjedhor. Përmes një postimi në Facebook Ambasada Amerikane tregon se dy të dërguarit do të ndihmojnë SPAK që bëjë më së miri rolin e tij gjatë zgjedhjeve, për t’u ofruar qytetarëve zgjedhje të lira dhe të sigurta, pa ndërhyrje politike. Dy prokurorët kanë filluar konsultimet me punonjësit e SPAK, ku u diskutua mbi çdo problematikë dhe rrezik që u kanoset zgjedhjeve nga korrupsioni politik. “Për të ndihmuar Shqipërinë në ruajtjen e integritetit në zgjedhje, Këshilltari i Lartë i OPDAT Kundër Korrupsionit Ndërkombëtar Constantine Soupious dhe Drejtori i Degës së Krimeve Zgjedhore të Sektorit të Integritetit Publik të Divizionit Penal Richard Pilger nga Departamenti i Drejtësisë, drejtuan dje një trajnim për gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK. Instruktorët diskutuan praktikat më të mira, llojet e krimeve zgjedhore, etikën e përfshirë, mënyrën e ruajtjes së pavarësisë, përfshirjet në media në lidhje me pretendimet për mashtrim dhe ndryshimin midis gabimeve në administrimin e procesit dhe krimeve të vërteta”, ka njoftuar ambasada. Ndër të tjera në njoftim thuhet se këto trajnime janë të nevojshme më shumë në këto momente sepse këto zgjedhje do të shërbejnë si një test për punën e SPAK, duke qenë se Prokuroria e Posaçme merret për herë të parë me luftën kundër korrupsionit gjatë zgjedhjeve. “Ky trajnim erdhi në një moment shumë të rëndësishëm pasi kjo është hera e parë që korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje do të jenë nën juridiksionin e SPAK-ut”, evidentohet në njoftim.
Ja kush është Richard Pilger
Të dhënat e grumbulluara tregojnë se, Pilger ka mbi 25 vjet përvojë juridike pas diplomimit të tij të magjishëm nga Shkolla e Drejtësisë në Universitetin Indiana në Bloomington dhe punën e tij universitare në Universitetin e Notre Dame. Përpara marrjes së detyrave të tij për krimet zgjedhore, Pilger është marrë drejtpërdrejt me hetimet, ndjekjet penale dhe apelimet në të gjithë spektrin e çështjeve të korrupsionit publik në të gjitha nivelet dhe në të gjitha degët e qeverisë në Shtetet e Bashkuara, si dhe ka marrë çmime të shumta për ndjekjet e tij penale të korrupsionit, përfshirë Çmimin e Prokurorit të Përgjithshëm për Shërbim të Shquar dhe Çmimin e Ndihmësit të Prokurorit të Përgjithshëm për Mbrojtje të Shquar. Ai filloi karrierën e tij si një nëpunës i ligjit për të Nderuarin James T. Moody, një gjykatës i Gjykatës së Qarkut të Shteteve të Bashkuara në Rrethin Verior të Indianapolis. Më pas zoti Pilger hyri në Departamentin e Drejtësisë ku u emërua Drejtori i Drejtorisë për Krimet Zgjedhore. Në 2020 ai dha dorëheqjen nga ky post në përgjigje të thirrjes së Prokurorit të Përgjithshëm William Barr drejtuar prokurorëve federalë për të shqyrtuar pretendimet e mashtrimit të votuesve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Ndërsa, prokurori Constantine Soupious ka marrë pjesë edhe në trajnime të tjera kundër korrupsionit në Shqipëri të organizuara më parë nga SHBA me institucionet hetimore dhe kontrollore në Shqipëri. Ai gjithashtu ka një karrierë të pasur dhe të gjatë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në SHBA.









































