Zgjedhjet e 25 prillit pritet të jenë një disfatë për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nëse shohim sondazhet ajo ka një përgjysmim të mbështetësve dhe interesant është fakti se ata shkojnë drejt PD dhe jo drejt PS. Gazeta ka bërë disa përllogaritje mbi numrin e votuesve që kanë ikur nga LSI drejt PD, duke u bazuar te përqindja në sondazhe. LSI në zgjedhjet e 2017 mori rreth 220 mijë vota ose 14 për qind të tyre. Nëse shohim sondazhet, LSI në këto zgjedhje parashikohet të shkojë në 6-7 për qind. Kjo do të thotë se nëse vërtet kuotohet në këtë nivel, humbet gati gjysmën e votave. Pra janë rreth 100 mijë vota që i ikin LSI, që nëse e përkthejmë në mandate, janë rreth 10 mandate më shumë që shkojnë për PD. Nëse shohim disa nga qarqet, në Tiranë LSI kuotohet te diku 3-4 për qind. Në zgjedhjet e fundit ajo mori 55.8 mijë vota në kryeqytet dhe sipas logjikës së sondazheve, merr diku te 17-18 mijë vota më 25 prill, pra jo më shumë se 2 mandate. PS merr rreth 200 mijë vota në Tiranë, ndërsa PD rreth 180 mijë. Në 2017 LSI mori afro 22 mijë vota në Durrës. Sipas sondazheve, në zgjedhjet që vijnë mund të marrë diku te 8 mijë vota në Durrës, ndërsa rreth 13-14 mijë shkojnë për partitë e tjera, shumica për PD. Demokratët marrin rreth 72 mijë vota sipas sondazheve, ndërsa PS bie në 67 mijë vota sipas sondazhit të IPSOS. Ndërsa në Elbasan në 2017, LSI mori diku te 23.5 mijë vota. Por sipas sondazheve, këtë vit merr në këtë qytet rreth 5 për qind të votave. Kjo do të thotë se nëse e llogarisim numrin e votuesve të 2017 me përqindjet tani, LSI shkon te rreth 8 mijë vota dhe kjo do të thotë se kapjen e një mandati e ka shumë të vështirë. PS merr diku te 81 mijë vota, ndërsa PD diku te 68 mijë vota. Gjithmonë duke krahasuar përqindjet e sondazheve me pjesëmarrjen e 2017. Por ka sondazhe që LSI e nxjerrin edhe më pak dhe nëse ndodh kështu atëherë ajo zbret te 80-90 mijë vota. Elementi tjetër është se edhe pse në pamje të parë kaq vota mund të duket sikur sjellin 8-9 mandate realiteti nuk është kështu. Kjo pasi në shumë qarqe herësi është mjaft i madh dhe LSI del me 2-3 mandate në të gjithë vendin.
Kalimet drejt PS
PD është partia e cila merr më shumë vota nga LSI, ndërkohë që sigurisht ka dhe nga ata që shkojnë te PS. Shumë krerë degësh të LSI janë bashkuar me PS, ndërsa në shumë raste kanë marrë pas vetes edhe militantë. Ndërkohë, kemi dy ish-ministra si Nasip Naço e Lefter Koka që janë në lista e PS dhe padyshim që ata kanë pas vetes votues të LSI. Në Berat Naço ka marrë pas vetes qindra votues të LSI, ndërkohë që Koka në Elbasan po punon shumë fort kundër ish-partisë së tij. Ndërkohë nuk duhet harruar se janë rreth 20-30 mijë persona që kanë kaluar me PS muaj më parë, pasi janë pjesë e administratës. Kur LSI doli nga qeveria, Rama dha urdhër që të largoheshin nga puna militantët e saj, por shumë prej tyre ndoqën një strategji të re. Ata morën teserën e PS dhe sot mund të konsiderohen votues të PS. Janë rreth 20-30 mijë persona që ishin pjesë e administratës që sot kanë kaluar me PS. Pra duket qartë se si PD ashtu dhe PS po marrin vota nga LSI. Demokratët kanë rritje të ndjeshme krahasuar me 2017, ndërsa sipas sondazheve PS kuotohet te të njëjtat nivele. LSI është e vetmja që del me shumë humbje. Dalja me dy lista të ndara duket se ka qenë strategji e cila favorizon PD, por LSI del humbur. Po sipas sondazheve, ajo në shumë qarqe merr 7-8 mijë vota, por që nuk përkthehen në mandat deputeti. Nëse do të ishte në listë të përbashkët me PD, këto vota mund të siguronin një mandat deputeti dhe opozita fitonte më 25 prill. Ndryshimi i skemës së koalicioneve nga PS duket se ka qenë një strategji e mirëmenduar, pasi e ka dobësuar opozitën, e veçanërisht LSI.









































