Policia e Gjirokastrës ka arrestuar shtetasin Adil Aliko, i njohur në Gjirokastër si një biznesmen, emri i të cilit ka dalë në dritë gjatë hetimeve për çështjen e korrupsionit, ku ishte i përfshirë dhe biznesmeni Henri Çili.
Sipas Fax, Aliko është ndaluar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm nga blutë e Gjirokastrës, me urdhër të prokurorisë së rrethit.
Skema e përfshirjes në korrupsionin, për të cilin hetimet vijojnë ende
Sipas përgjimeve nga Prokuroria e Përmetit në 6 muaj hetime, ka rezultuar se Adil Aliko, komunikonte në telefon me Henri Çilin dhe pedagogun dhe juristin e UET-së, Ilir Korbi (i arrestuar), në përpjekje për t’i ndryshuar dënimin me burg dy djemve të tij, Arbion Aliko dënuar përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe Albanit dënuar me 17 vite e 6 muaj.
Këto ndërhyrje tek gjyqtarë dyshohet se janë bërë në këmbim të një sipërfaqeje toke në Gjirokastër dhe një shumë parash, që Adil Aliko ia ka dhuruar Çilit për ndihmën ndaj djemve (akuzë ende e paprovuar).
Kontratat e dhurimit të tokave janë kryer tek noterja Shpresa Gjocaj në Tiranë, gjithashtu e arrestuar më herët, me qëllim që Çili dhe pedagogu i tij Ilir Korbi, të nisnin punën për të zgjidhur çështjen në Gjykatën e Lartë.








































