Google search engine
Home Politike Drejtesi Valë ankesash për aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi 3 mijë dosje...

Valë ankesash për aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi 3 mijë dosje në ILD, Artur Metani raporton në Kuvend

0
259

Valë ankesash janë depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për prokurorët dhe gjykatësit në vend. Ditën e djeshme kreu i ILD, Artur Metani, ka raportuar të dhënat vjetore para Komisionit të Ligjeve. Gjatë fjalës së tij, Metani tregoi se mbi 3 mijë ankesa janë depozituar përgjatë 2020, nga të cilat pjesa më e madhe nga qytetarët, ndërsa 185 ankesa janë bërë nga institucione të ndryshme dhe 9 ankesa nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare. Sakaq, vlen të përmendet se viti 2020 ka nisur me një numër të lartë ankesash të mbartura nga viti 2019, të cilat u shqyrtuan në dy muajt e parë të 2020 dhe kanë qenë mbi dy mijë të tilla. “Për periudhën shkurt-dhjetor 2020, pranë zyrës se Inspektorit to Lartë të Drejtësisë, janë depozituar në total 3.054 ankesa nga këto cilat: 2.104 ishin ankesa të regjistruara përpara datës 1 Shkurt 2020, të cilat u transferuan ne dy faza, përkatësisht 757 faza e pare dhe 1347 na fazën e dytë: 950 ankesa to depozituara pas datës 1 shkurt. nga cilat: 756 ankesa nga qytetarët 185 ankesa nga institucione: dhe 9 ankesa nga organizata të tjera”, u shpreh ai. Ndër të tjera ai tregoi se, për trajtimin e 1347 praktikave, praktika të inspektimit nga ish-KLD me urdhër to Inspektorit to Lartë të Drejtësisë, është ngritur një grup pune i cili ka vijuar trajtim e tyre me përparësi duke i klasifikuar sipas objektit. Në total mbeten për t’u shqyrtuar 2.870 praktika”, raportoi ai.

Penalizohen dy magjistratë

Referuar të dhënave të raportit, kreu i ILD tregoi se, në përfundim të shqyrtimit të ankesave ka proceduar penalisht në Gjykatën e Lartë 3 gjyqtarë dhe 1 prokuror. Për këta subjekte Këshilli i Lartë Gjyqësor pasi analizoi kërkesën e ILD ka vendosur pezullimin nga detyra për dy magjistratë. “Në përfundim të shqyrtimit, në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratëve për dy nga rastet, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin gjyqësor ndaj magjistratëve dhe është vendosur mbarimi i mandatit të tyre. Për njërin rast Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj magjistrates. Rasti i katërt është në procedurë e sipër”, tregoi Metani.

Llojet e ankesave

Ndër të tjera, Metani tha për komisionin se ankesat më të zakonshme lidhen me vendimet e gjyqtarëve, për të cilat tregohet se trupat gjykuese shpesh tregohen të njëanshme. Ndërsa ankesat nga qytetarët evidentojnë se gjyqtarët dhe prokurorët zvarrisnin çështjet pa asnjë arsye specifike. “Pjesa më e madhe e ankesave lidhen kryesisht me pakënaqësi nga vendimmarrjet e gjyqtarëve, duke pretenduar se ata zvarrisin qëllimisht gjyqet si dhe ankesa se tregohen të njëanshëm në gjykim. Mbi bazën e ankesave të trajtuara deri tani rezulton se problematikat apo pretendimet e ngritura më së shumti nga ankuesit mund të kategorizohen si më poshtë: ankim mbi vendimmarrjen e gjykatave dhe pretendime për zvarritje të gjykimit nga ana e magjistratëve: shkelje të etikës nga magjistratët gjatë gjykimit”, theksoi ai. Sakaq, anëtarët e komisionit shprehën rezervat dhe pakënaqësitë e tyre për këtë lum ankesash brenda një viti. Sipas tyre, numri i ankesave është shumë i lartë dhe i patolerueshëm kur bëhet fjalë sidomos për sistemin e drejtësisë. Ata thanë se, është shqetësuese që numri i ankesave vijon të jetë i lartë edhe pas vënies në zbatim të reformës dhe vetingut në drejtësi. Madje, siç duket nuk kanë dhënë efekt as thirrjet e ndërkombëtarëve për gjykatësit dhe prokurorët që të bëjnë siç duhet punën e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here