Google search engine
Home Politike Drejtesi KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e Arben Pashos, konflikti i...

KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e Arben Pashos, konflikti i interesit fundosi ish-prokurorin e Gjirokastrës

0
298

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e së mërkurës vendimin lidhur me ankimin e kryer nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për shkarkimin e tij. Sipas BIRN, Arben Pasho u shkarkua nga KPK më 16 maj 2019, pasi u gjet në kushtet e konfliktit të interesit dhe në vlerësimin tërësor u konsiderua se ai kishte cenuar besimin e publikut tek drejtësia.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Albana Shtyllan, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon, me shumicë votash vendosi të rrëzojë ankimin e ish-prokurorit Arben Pasho duke e larguar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Vendimi i KPK tregon se një detyrim financiar, në shumën 14,000 euro, ndaj biznesmenit I.M., me qëllim pagesën e tarifës së shkollimit të djalit, ka penalizuar prokurorin Arben Pasho. Në këtë rast Komisioni e ka gjetur në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ka qenë i hetuar tri herë nga organi i akuzës që drejtohej në atë periudhë prej subjektit, ku në një rast nga vetë ai. Në vendim thuhet se Pasho ka deklaruar se e ka marrë shumën 14 mijë euro nga biznesmeni I.M., pasi më datë 23 gusht 2016 do të paguante nga llogaria e vet në numrin e llogarisë të një Universiteti në Holandë, këtë vlerë për studimet “master” të djalit të tij O.P.

Nga hetimi ka rezultuar se kjo hua është shlyer nëpërmjet llogarisë bankare me burim të ardhura nga një kredi dy vjeçare në vlerën 1 milion lekë dhe të ardhura të tjera familjare. Komisioni, ka konstatuar se shtetasi I.M., ka pasur mundësi financiare me burime të ligjshme për të dhënë huan prokurorit Pasho se veprimet janë kryer përmes sistemit bankar. “Referuar faktit se gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasi I.M. dhe subjekti i rivlerësimit, z. Arben Pasho, kanë njohje të hershme mes tyre dhe marrëdhënie miqësore, e provuar kjo edhe me faktin e marrëdhënies së huas në vitin 2016 nga shtetasi I. M., Komisioni ka vendosur të hetojë lidhur me raste të mundshme të konfliktit të interesit të subjektit të rivlerësimit me shtetasin I. M”, citohet në vendimin e KPK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here