Presidenti Ilir Meta ka vendosur të dublojë prokurorinë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Presidenti Meta ka vendosur kështu të krijojë një dritare në faqen e Presidencës të quajtur “Denonco krimin zgjedhor”. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta u drejtohet të gjithë qytetarëve, duke iu kërkuar të denoncojnë çdo krim zgjedhor në këtë faqe. Sipas tij rreziku nga krimi zgjedhor, i cili godet vullnetin e zgjedhësve bëri të mundur marrjen e kësaj nisme. “Nga sot na ndajnë vetëm 30 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Për këtë arsye dua të ndaj me ju nismën time “denonco krimin zgjedhor”, ku çdo qytetar mund të denoncojë dhe të demaskojë çdo veprim, që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës apo që dëmton procesin zgjedhor! Krimi zgjedhor, godet dhe shtrembëron vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe rrezikon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale”, tha Meta. Ndër të tjera, ai u shpreh se kjo aleancë e krijuar do të bëjë të mundur që çdo qytetar të denoncojë veprime, të cilat i sheh të paligjshme në këtë faqe po ashtu edhe në organet e tjera përgjegjëse. Meta theksoi se çdokush që tenton të prekë votën në këto zgjedhje do të ndëshkohet dhe do të përballet me ligjin. “E thërras këtë aleancë me qytetarët, për të sensibilizuar, mbështetur, nxitur dhe përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar, apo dhe funksionar publik të përgjegjshëm, që të denoncojë çdo veprim të paligjshëm në organin e Prokurorisë, KQZ dhe tek Presidenti i Republikës, me qëllim që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe çdokush të vihet përballë përgjegjësisë sipas ligjit. Përmes kësaj aleance, ne bashkë do të garantojmë në mënyrë të padiskutueshme, se kushdo që tenton të prekë votën e lirë, nuk do të ketë shpëtim”, tha Meta. Presidenti u shpreh se ai do të marrë të gjitha veprimet për çdo rast të denoncuar nga qytetarët lidhur me ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Meta bëri me dije se nëpërmjet garantimit të zgjedhjeve të lira mund të bëhet e mundur sipas tij hapja e negociatave për vendin drejt BE. “Presidenti i Republikës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor. Vetëm përmes garantimit të ushtrimit të së drejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do t’i japim fund krizës së legjitimitetit dhe të përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit, do të zhbllokojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe do të garantojmë se do të qeverisemi sipas vullnetit real të sovranit”, tha ai.









































