Shqipëria do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e parë eliminatore në kuadër të Botërorit “Katar-2022”. Bëhet fjalë për duelin e parë në grupin I kualifikues, ku shorti na ka vendosur përballë Andorrës. Do të luhen tri ndeshje brenda një jave dhe e para në radhë është kjo me Andorrën, ndërsa më pas presim përfaqësuesen e Anglisë e në fund udhëtojmë sërish në transfertë ndaj San Marinos. Trajneri Edi reja është shprehur për objektiva maksimalë në këtë fazë, por kujdesi ndaj skuadrave modeste të grupit duhet të jetë i madh. Mësohet së fundmi se trajneri Edi Reja do t’u besojë lojtarëve me më shumë përvojë dhe atyre që po kalojnë formë të mirë në sfidën e parë kualifikuese të Botërorit, ndaj Andorrës, në transfertë. Trajneri italian tha se e ka në kokë formacionin, ndërsa për aktivizimin e Bajramit pritet një konfirmim i fundit nga UEFA. “Nuk kemi patur shumë ditë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje. Ekipi ka qenë pak i lodhur këto ditë për shkak të aktivizimit të lojtarëve në skuadrat e tyre. Kemi pasur mungesa nga dëmtime dhe COVID-19 më parë, por tani situata është normalizuar. Lojtarët janë në formë, pasi kanë luajtur me skuadrat e tyre, duhet përqendrim dhe fokus gjithashtu. Duam ta nisim aty ku e lamë, duhet të bëjmë kujdes nga Andorra, duke pasur parasysh ndeshje. Ai edicioni i kaluar i Ligës së Kombeve do na japë stimul më shumë. Përgjegjësia në skuadër është rritur. Do të kemi përballë skuadra shumë më të forta. Jemi ekip më i mirë se ai i Ligës së Kombeve. Është momenti i së vërtetës, për ta parë nëse jemi rritur më shumë”, theksoi Reja.
Formacioni kuqezi
Trajneri Reja ka folur edhe për formacionin që do të hedhë në fushë, duke thënë se do të ketë gërshetim të lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj, por pa dhënë detaje rreth emrave. “Kam një ide të qartë për formacionin që do të hedh në fushë. Kemi dhe një stërvitje të fundit, të shikojmë si do të shkojnë gjëra. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente. Do të mbështetem te lojtarët që kam besim. Në ndeshjet e tjera do të kem mundësi të bëj ndryshime dhe të përdor lojtarë të tjerë. Formacionin e kam vendosur. Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë me lojtarët që kemi”, nënvizoi ai. Më tej tekniku veteran italian foli për objektivin e Kombëtares në këto eliminatore. “Nuk mund të bëjmë parashikime për objektivin që ka Shqipëria. Duhet ndryshim mentaliteti, ekipi duhet të ketë ekuilibër. Nuk mund të gabosh, është ndryshe nga klubet që kanë kohë për t’i rikuperuar gabimet e lojtarëve”, shtoi ai. Në fund nuk mungoi komenti i tij për Nesim Bajramin, për të cilin dha se duhet të vijë letërkonfirmimi nga FIFA, apo rrezikun prej Andorrës ku duhet të mos nënvlerësohet. “Duhet të presim një konfirmim nga FIFA, sepse është një situatë e komplikuar, ai ka lindur në Maqedoni, është rritur në Zvicër dhe do të luajë për Shqipërinë. Është një element që mund të na ndihmojë shumë për të ardhmen, duhet pritur leja për pjesën e debutimit. Mund të vijë leja sot, në darkë, ose nesër. Ndeshja e radhës? Ne kemi pasur probleme me Andorrën dhe në fushën tonë. E njoh si skuadër. E kam parë në Ligën e Kombeve, është skuadër që të vë në vështirësi, ka karakteristika të veçanta, ka lojtarë të shpejtë dhe nuk të le hapësira. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe mos iu lejojmë hapësira”, përfundoi Reja.
Formacioni
Reja ka dhënë garanci në projektin e tij taktik, ai ka p[ë4rvojë të gjatë si trajner dhe është mjeshtër në vendosjen e lojtarëve sipas cilësive që ata disponojnë. Duke pasur një kundërshtar që vetëm mbrohet, me siguri që Reja do të provojë skema loje me ritëm në sulm, por e sigurt është se ai nuk do të zhgënjejë në vendosje, sepse e njeh mirë grupin dhe ia di vlerat. Deri më tani, i sigurt është i garantuar vetëm portieri Berisha në portë, kurse në repartet e tjera mund të ketë surpriza.