Arbitrat nota ngelëse në kampionat, të gjithë klubet shprehin rezerva për “xhaketat e zeza”

0
257

Gjyqtarët janë “korbi i zi” i kampionatit të sivjetëm kombëtar të futbollit elitar, Kategoria Superiore. Nuk ka asnjë klub që të mos ankohet për sjelljen e gjyqtarëve, ndërkohë që FSHF bën “të paditurën”, madje kreu i saj shkoi më tej, duke thënë se gjykimi si nivel është më i mirë dhe më lart se niveli që ka gara. Një shmangie e tillë nga problemi është sjellje abuzive dhe arrogante e federatës, e cila nuk ka një mekanizëm si të masë drejtpërdrejt punën e gjyqtarëve, jo vetëm kaq, por FSHF me vetëdije ka refuzuar ta bëjë këtë duke qenë e ndërgjegjshme se sektori i arbitrimit ka probleme thelbësore, që vjen nga paaftësia profesionale, por edhe përfshirjen e gjyqtarëve në skandale të mëdha. Por kjo përfshirje në skandale, në dukje të qëllimshme, nuk ka marrë asnjëherë një hetim serioz nga federata. Pak ditë më parë, në kuadër të Kupës së Shqipërisë, Laçi dhe Partizani u përballën mes tyre e me penallti fituan kurbinasit që shkuan në gjysmëfinale, por Partizani akuzoi gjyqtarin Kridens Meta se nuk u kishte dhënë “demave” të paktën dy penallti sade. Më herët Tirana kishte shfaqur rezerva për arbitrimin, e po ashtu Vllaznia. Bylisi thuajse gjatë gjithë kohës është ankuar për “xhaketat e zeza”, e po ashtu Kukësi. E vetmja skuadër që ka qëndruar indiferente ndaj gjyqtarëve është Teuta, por në kampin e saj, trajneri e lojtarët nuk e kanë fshehur zhgënjimin ndaj tyre. Ndër presidentët, Safet Gjici qëndron në ballë të akuzave e pakënaqësisë, por kohët e fundit edhe Gaz Demi i Partizanit nuk është përmbajtur, duke e quajtur një arbitër (K. Metën) “palaço”.

Duka i mbron: Gjyqtarët mbi nivelin e klubeve

Kreu i FSHF-së, Armand Duka, duke folur ndër të tjera në “Sport Plus Neës” për arbitrat, i mbrojti ata nga shënjestra e klubeve dhe medieve. “Pa dyshim që arbitrimi është një nga komponentët e rëndësishëm të lojës, sepse jep drejtësi në fushën e lojës. Pa dyshim që ka gabime, ka pasur, ka dhe do të ketë. Edhe shpresa që nëse do të ketë një sistem VAR, gjykimi do të jetë si në lojërat elektronike, është e gabuar sepse do të ketë gjithmonë gabime. Është lojë dhe arbitrat janë pjesë e lojës. Janë lojtarë në të njëjtën mënyrë, madje me më shumë përgjegjësi. E rëndësishme është që niveli i lojës, niveli i garës, domethënë, arbitrimi mos ta pengojë zhvillimin e saj por të jetë në të njëjtat nivele. Nëse do të flasim jo vetëm për këtë kampionat, por pa dyshim edhe për këtë kampionat, çdo skuadër ka atë pozicion në tabelë që meriton me atë që ka kontribuar në fushë”, theksoi Duka.

Enea Jorgji gjykon miqësoren mes Kosovës dhe Lituanisë

Arbitri Enea Jorgji është caktuar nga UEFA si gjyqtar kryesor për ndeshjen miqësore mes Kosovës dhe Lituanisë sonte në Prishtinë. Enea, gjyqtari i FIFA-s që prej vitit 2012, gjykon në Superligën e Shqipërisë dhe ka përvojë edhe në disa ndeshje zyrtare në Ligën e Kombeve dhe në kualifikime për Ligën e Evropës. 36-vjeçari është shqiptari i parë që gjykon në një ndeshje të Kosovës. Kombëtarja e Kosovës priti Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri në orën 20:45, në atë që shihej si një mundësi shumë e mirë për trajnerin e Kosovës Bernard Shalond për të parë se ku qëndron ekipi i tij para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës këtë muaj. Verdhekaltrit u grumbulluan të hënën në kryeqytet, për herë të parë që prej nëntorit kur e mbyllën një fushatë zhgënjyese në vendin e parafundit në grup në Ligën e Kombeve. Trajneri zviceran nuk ka pasur kohë ta stërvitë ekipin mjaftueshëm para këtij takimi miqësor megjithatë, për shkak se bora e dendur e bëri ta pamundur përdorimin e fushës në “Fadil Vokrri”. Verdhekaltrit do të jenë në transfertë kundër Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit të dielën më 28 mars në Prishtinë, në ndeshjen hapëse kualifikueset e Botërorit Katari 2022. Tri ditë më vonë, Kosova do të udhëtojë drejt Seviljes për t’u përballur me Spanjën. Përveç Spanjës dhe Suedisë, Kosova është në grup edhe me Gjeorgjinë dhe Greqinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here