Google search engine
Home Politike Miratohen ndryshimet në ligjet e reformës/ Lehtësohen procedurat për plotësimin e Kushtetueses...

Miratohen ndryshimet në ligjet e reformës/ Lehtësohen procedurat për plotësimin e Kushtetueses dhe shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë

0
261

Parlamenti ka miratuar ditën e djeshme ndryshimin e 10 ligjeve të reformës në drejtësi. Ndryshimet e bëra rregullojnë kompetencat dhe përgjegjësit për institucionet e drejtësisë si të SPAK, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe të tjerë. Ndërkohë, ajo që bie në sy është se, disa prej ndryshimeve të bëra i hapin rrugë plotësimit të 3 vakancave të fundit për Kushtetuesen që duhet të plotësohen nga Gjykata e Lartë. Deri më tani Gjykata e Lartë nuk ka mundur të zgjedhë anëtarët e fundit për të plotësuar Gjykatën Kushtetuese sepse vetë ajo ka mungesë anëtarësh për këtë çështje. Kështu, drafti i miratuat dje për Gjykatën Kushtetuese ka bërë ndryshime edhe në nenin 86, i cili i jep mundësi Gjykatës së Lartë të organizojë mbledhje me gjysmën e numrit të anëtarëve që përcaktonte ligji aktual. Konkretisht, sipas ligjit të vjetër, Gjykata e Lartë duhet të kishte së paku 14 anëtarë që të votojë për kandidatët e Kushtetueses. “Kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Lista me kandidatët u bëhet e njohur më parë të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje”, thuhet në ligjin aktual. Por në draftin e ri, mazhoranca ka shtuar një dispozitë që e ndryshon këtë përcaktim dhe e ul numrin nga dy të tretat në gjysmën e anëtarëve. Gjykata e Lartë ka 19 anëtarë dhe me 10 anëtarë mund të emërohen emrat në Kushtetuese. “Deri në emërimin e të paktën tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, por në çdo rast, jo më vonë se data 31.12.2023, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas pikës 3, të nenit 7 /9, të këtij ligji, është e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”, thuhet në nenin e ndryshuar.

Ndryshimet për Gjykatën e Lartë

Ndërsa një sërë ndryshimesh janë bërë në lidhje me Gjykatën e Lartë për t’i lehtësuar asaj procedurat për gjykimin e dosjeve nën kompetenca. Aktualisht, Gjykata e Lartë shqyrton me 3 anëtarë. Por në ndryshimet e bëra ky rregull bie poshtë dhe për të reduktuar numrin e madh të dosjeve në pritje, propozohet edhe ndryshimi i trupës së nevojshme për shqyrtimin e tyre, duke quajtur të mjaftueshëm vetëm një gjyqtar, nga tre që kërkohet aktualisht. Sipas projektligjit të ndryshuar, në këtë mënyrë do të reduktohen pengesat që mbanin pezull disa dosje. “Ky lloj gjykimi, rrit aftësinë e Gjykatës së Lartë për të gjykuar një numër më të lartë çështjes; ul zvarritjet e gjykimeve për shkak të mospranisë së palëve dhe kërkesave me karakter procedural që kanë si qëllim shtyrjen e gjykimit; Për çështje të rëndësishme, Gjykata e Lartë e zhvillon gjykimin me seancë publike. Ulet numri i çështjeve që mund të shkojnë drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë (çështjet e juridiksionit dhe kompetencës), duke ulur kështu ngarkesën e panevojshme të saj dhe rregullohen të metat mbi mënyrën e disponimit të Gjykatës së Lartë”, thuhet në projektligj. Mes rasteve të përcaktuara është edhe ai që ka të bëjë me kërkesat për ekstradim. Sipas të dhënave, ky parashikim synon të rrisë efektivitetin e gjykimit dhe lehtësojë ngarkesën e gjykatave, duke mbajtur në konsideratë parimin e gjykimit të dosjeve brenda një afati të arsyeshëm. Gjithashtu, nga ndryshimet e bëra garantohet marrja e mendimit të avokaturës së shtetit ose institucioneve të tjera kur çështjet që parashtrohen për rregullim kanë interes publik. Ndër të tjera për Gjykatën e Lartë njësohen rregullat mbi gjykimin e posaçëm për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, në të tre ligjet procedurale, duke shmangur një gamë të gjerë problematikash të hasura në vitin e fundit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here