Kohë reflektimesh, Tirana me dëmtime e pezullime, por ka ende shpresë për titullin

0
264

Tirana është kampione në fuqi e Kategorisë Superiore, por këtë sezon bardheblutë kanë shfaqur probleme, qoftë në organizim, ashtu dhe në rezistencë. Skuadra merr fitore të rëndësishme në sfida shumë të vështira, por më pas lë pikë me ekipe dytësore. Oshilacionet e kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës dhe ndryshimet e shumta në pankinë kanë pasur efektet e tyre. Presioni ka qenë shumë i madh, pasi tifozeria ushtron në rrjetet sociale një trysni të madhe që duhet marrë në konsideratë, por tani në kampin kryeqytetas janë të qetë dhe besojnë se 7 pikët diferencë me kreun dhe 5 pikët me grupin që të siguron Europën janë të rikuperueshme. Kjo bëhet më e besueshme kur kemi parasysh që ka ende shumë duele direkte në valle dhe Tirana mund të përfitojë nga kalendari në këto 11 javë të mbetura. Në fakt, duhet pranuar, sezoni 2020-2021 që në embrion ishte një sezon i veçantë, sepse për herë të parë një edicion nisi në muajin nëntor dhe do të përfundoj në maj, pra do të zhvillohet në një hark kohor më të shkurtër, por vijimësia e sezonit po dëshmon se është edhe një edicion i çuditshëm. Çdo skuadër mund të fitojë më këdo, por edhe humbasë me këdo, natyrshëm Tirana kampione në fuqi është pjesë e këtij sezoni atipik. Disa herë bardheblutë kanë dalë e disa herë kanë rihyrë në garën për titull. Humbja me Partizanin u duk se i largoi jo vetëm nga trofeu i kampionit por edhe nga gara për Europë, tashmë fitorja me Laçin ka rindezur një dritë të vogël shprese për ta mbyllur për të dytin sezon radhazi në vendin e parë. Tirana ka 7 pikë më pak se Vllaznia dhe pas pauzës së përfaqësuesve do të kemi dy përballje të rëndësishme, vendi i parë pra Vllaznia me vendin e 3-të Partizanin, dhe vendi 4-t me vendin e 2-të, Teuta-Laçi. Bardheblutë presin Apoloninë dhe kanë një shans të madh për të përfituar. Nuk do të jetë e thjeshtë sepse fierakët kanë humbur vetëm 1 nga 5 ndeshjet e fundit, por nëse kampionët synojnë të afrohen me kreun duhet me çdo kusht t’i marrin maksimumin atij takimi. Mundësia ekziston që pas javës së 26-të Tirana të jetë edhe më pranë 4-esh së parë, dhe në lojë do të kishte eventualisht edhe 30 pikë, atëherë askush nuk do të kishte të drejtën t’a llogariste Tiranën jashtë valles së titullit.

“Oreksi vjen duke ngrënë”, Shehi do titullin

Në kampin bardheblu situata duket dukshëm e përmirësuar, sidomos kur bëhet fjalë për pikët e rikuperuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit dhe kjo falë edhe ngecjes së rivalëve kryesorë në duelet direkte. Tirana mori një trepikësh në Laç që e afroi ndjeshëm me kryesuesit dhe kjo u ka dhënë zemër bardhebluve të ëndërrojnë titullin dhe në këtë eufori dhe entuziazëm të pashoq është përfshirë edhe portieri Orges Shehi. Te Tirana kanë filluar të ndjejnë përsëri aromën e titullit kampion. Fitorja ndaj Laçit ka kthyer përsëri entuziazmin te kampionët në fuqi të cilët shohin se kreu nuk është më aq larg dhe besojnë se mund të thonë fjalën e tyre, edhe pse kanë katër skuadra përpara në renditje. Vetë trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, deklaroi sot në “Skaner” se tashmë diferenca që ishte me skuadrat përpara, nuk ishte më e konsiderueshme, duke e cilësuar si të rikuperueshme në javët e fundit. “Kjo fitore ne na fut tek objektivat tona që kemi. Tirana është klub që kur fiton ke bërë detyrën dhe pritet më shumë. Pritshmëritë janë të mëdha, kur drejton një klub të tillë ka objektiva madhorë. Kjo fitore na fut në valle, por kemi kompensuar deri diku humbjen e derbit. Logjikisht, duke pasur shumë javë në lojë, distance jonë me vendin e parë nuk është e konsiderueshme”, tha Shehi. Në radhët e klubit ka elementë cilësorë, qoftë nga grupi i veteranëve, ashtu dhe ai i të rinjve, ku siç dihet disa prej lojtarëve janë ftuar në ekipet kombëtare. Tirana do të tentojë ta shfrytëzojë këtë periudhë për të bërë llogaritë e saj, për të rikuperuar forcat dhe për të testuar kapacitetet deri ku mund të arrijë në objektivat e saj. Ky është momenti për të ideuar një kapërcim cilësor në objektivat madhore sezonale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here