Kombëtarja vijon përgatitjet në Barcelonë për ndeshjet e radhës eliminatore të Botërorit Katar-2022, ku dueli i parë në radhë do të jetë ai me Andorrën, këtë të enjte në orën 20:45. Ndërkohë, në konferencën e radhës për shtyp të Kombëtares kuqezi para ndeshjes me Andorrën, ishte Elsied Hysaj dhe Klaus Gjasula. Mbrojtësi i Napolit në fjalën e tij theksoi rëndësinë për t’i nisur mbarë eliminatoret e Botërorit. “Ta fillojmë me këmbën e mbarë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme. Të jemi kompaktë si në ndeshjet e fundit në Nations League. Duhet ta nisim mbarë me Andorrën. Kemi shumë lojtarë me minutazh të madh dhe formë të mirë. Jemi një grup fantastik, lojtarë si Bajrami mund të na japin një dorë më shumë”, theksoi Hysaj. Më pas ai komenton prurjet e reja të trajnerit Reja në këtë periudhë, duke u ndalur tek Bajrami, por edhe tek kalendari i ngjeshur i ndeshjeve të Kombëtares në këtë periudhë, ku luhen tre takime në një javë. “Bajrami? Kemi folur sepse kam luajtur kundër tij, është lojtar shumë i mirë. Është në një skuadër ku ka mundësi të ecë përpara. Kualitetet i ka, presion nuk do të ketë, është qytet i vogël dhe i qetë, thjesht duhet të tregojë vlerat. Sa i takon kalendarit të ngjeshur, mund të them se jemi mësuar, edhe ne po luajmë çdo 3 ditë. U bë një vit që po luajmë në këto kushte. Nuk do të jetë problem për asnjë nga lojtarët”, shtoi Hysaj. Më pas ai foli për sezonin e ri të Kombëtares, një sezon që sipas shkodranit duhet të rezultojë i suksesshëm, duke pasur parasysh edhe suksesin në Ligën e Kombeve. “Nuk ka ndryshime, jemi i njëjti grup, pak a shumë. Treguam që po luanim futboll të mirë, na eci mbarë. Duhet të kemi pak nga fryma e kaluar dhe pak nga e reja me Bajramin dhe të tjerët. Jemi adaptuar dhe kemi marrë vesh si duhet të lëviznim në fushë. Në fillim ishte rrëmujë dhe nuk po kuptonim lëvizjet. Nuk ka kohë skuadra të stërvitet 100 për qind. Duhet të kemi besim te trajneri dhe ai te ne. E kemi kuptuar skemën dhe jemi duke ecur mirë”, shtoi ai. Në fund një koment për rivalin e parë në radhë, Andorrën, ku nuk duhet neglizhencë. “Është më mirë kur e njeh një kundërshtar. Janë lojtarë që dinë të luajnë futboll. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta bëjmë ndeshjen e lehtë për të mos pasur probleme.”, përfundoi Hysaj.
Mesfushori/ Gjasula: Kemi zënë mend, nuk ndodh më zhgënjimi me Andorrën
Klaus Gjasula ishte bashkë me Hysajn në daljen e djeshme para gazetarëve. Mesfushori Hamburgut, edhe pse nuk është ende në 100% të formës, tha se mund ta japë kontribut në këto ndeshje eliminatore. “Lojtarët janë të njëjtë vetëm 1-2 janë të rinj, për mua nuk ka ndryshuar shumë, fryma e grupit është e mirë. Besoj që ne me paraqitjet e fundit, i kemi mundësitë për ta fituar ndeshjen. Do të kishte qenë ndryshe po ta luanim ndeshjen e parë me Anglinë. Po të jemi të përqendruar, besoj do ta fitojmë këtë ndeshjen. Nuk jam në 100 % të formës fizikisht, por ndihem gati për të ndihmuar. Do të jap maksimumin për skuadrën nëse trajneri vendos të më aktivizojë. Ndihet që po afrohemi të gjithë më shumë me njëri-tjetrin. E kemi treguar në ndeshjet e fundit. Shpresoj të na ecë mbarë, që ta vazhdojmë aty ku e lamë. Personalisht, nuk e kam menduar se sa pikë do të marrim. Kemi detyrë të fitojmë ndeshjen e parë. Mbas asaj do të mendojmë për ndeshjen e ardhshme. E bëmë një herë gabimin, besoj që ketë radhë do të jetë ndryshe. Do të jemi më të përqendruar. Është kundërshtar i fortë, që na ka marrë pikë në Shqipëri, tani duhet të marrim ne 3 pikë”, theksoi Gjasula. Mesfushori ka qenë një nga pikat e forta të Kombëtares në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe ftesa për të nuk mungon pasi vetë trajneri Edi Reja e cilëson si një nga lojtarët e domosdoshëm për skemat e tij taktike dhe tekniku veteran italian ia di vlerën dhe e beson potencialin e Gjasulës në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese, si një ndërtues energjik i lojës.