Bashkimi Europian jep 5.5 milionë euro për të luftuar krimin e organizuar/ Blindohen Byroja e Hetimit, Brukseli kërkon arrestime

0
272

Bashkimi Europian do të rrisë mbështetjen ndaj Shqipërisë për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar. Kjo u bë e ditur nga ambasadori Luigi Soreca në prezantimin e projektit “Lufta kundër krimit të organizuar në Shqipëri përmes hetimit kriminal dhe financiar”. Ambasadori ka bërë të ditur se skema më e mirë për të shkuar te grupet kriminale është ndjekja e pasurisë.

“Që kur kam mbërritur në Tiranë, “Ndiq paratë” ka qenë një moto e përhershme e qasjes sonë për të mbështetur luftën kundër grupeve kriminale. Organizatat e krimit të organizuar kanë një objektiv të thjeshtë: fitimin financiar, të arritur përmes pastrimit të parave në mënyra gjithnjë e më kreative dhe të sofistikuara. Vetëm hetimet financiare të bazuara në teknologji të reja dhe pajisje të kriminalistikës, mund të sigurojnë shkëputjen dhe privimin e organizatave kriminale nga këto fitime”, tha ai. Ambasadori bëri me dije se BE ka akorduar 5.5 milionë euro për të ndihmuar agjencitë ligjzbatuese, përfshirë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit. “Projekti që po nisim sot shënon një kthesë. Me 5.5 milionë euro, përfshirë 2.4 milionë euro për pajisje, ai do t’u mundësojë zyrave të prokurorisë, agjencive të zbatimit të ligjit (përfshirë BKH-në), autoriteteve tatimore, si dhe njësive doganore dhe atyre të inteligjencës financiare të ndërtojnë ekspertizën e kërkuar dhe të rrisin aftësinë e tyre për të zbuluar veprimtarinë e krimit të rëndë dhe të organizuar. Mbështetja është me të vërtetë europiane, pasi kombinon praktikat më të mira nga disa prej shteteve tona anëtare. Unë do të doja të falënderoja kolegët e mi nga Spanja, Holanda dhe Italia që besuan në këtë projekt dhe u siguruan që ai të konkretizohet sot”, tha ai. Ambasadori deklaroi se bashkëpunimi Shqipëri-BE udhëhiqet nga vlera e partneritetit, e mbështetur mbi shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës. “Lufta kundër krimit të organizuar është një përparësi kyçe për pranimin e Shqipërisë në BE. Rritja e kapaciteteve të hetimit financiar të të gjithë aktorëve të përfshirë do të sjellë prova më të qëndrueshme para gjykatave, duke kontribuar për ndërtimin e një historiku më të fortë. Projekti do të ndihmojë gjithashtu progresin e Shqipërisë në përpjekjet e saj për përmirësimin e performancës në kontekstin e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF). Zbatimi i Planit të Veprimit të Task Forcës është në rrugën e duhur, por ende nevojiten më shumë dënime të formës së prerë dhe më shumë konfiskime të pasurive kriminale”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here