Google search engine
Home Sport Skuadra muaj pa u paguar, Vllaznia gjobit trajnerin Bërdariç, argumenti i klubit...

Skuadra muaj pa u paguar, Vllaznia gjobit trajnerin Bërdariç, argumenti i klubit lidhet me objektivin

0
263

Paradokset shqiptare nuk kanë fund as në futboll. Kështu, pas gafave të rënda të arbitrave në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, që kulmuan me performancën e dobët të arbitrit Kridens Meta që nuk i dha penallti sade Partizanit, duket se në vazhdën e absurditetit është futur edhe Vllaznia e Shkodrës. Prej muajsh qarkullojnë zërat se në radhët e kuqebluve nuk janë paguar, madje përflitet se lojtarët e stafi kanë 4 muaj pa u paguar, por Vllaznia ka bërë një lëvizje që çorienton këdo, duke vendosur gjoba të rënda për trajnerin Thomas Bërdariç, i cili, me një grup modest ka mundur ta mbajë Vllazninë në pozitën e skuadrës favorite. Në vend që të zgjidhin problemet financiare të klubit, në Bashkinë Shkodër dhe në radhët e drejtuesve të Vllazninë nxjerrin gjoba për punë të dobët, një paradoks që përsëritet shpesh në futbollin shqiptar. Në fakt, dje u përhap me shpejtësi lajmi se Bashkia Shkodër kishte vendosur një gjobë prej 1.5 milionë euro për trajnerin e Vllaznisë, Tomas Bërdariç si pasojë e rezultateve të dobëta të ekipit. Ndërkohë, para pak minutash ka reaguar edhe vetë klubi kuqeblu nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale ku sqaron se gjobat e vendosura do të marrin fuqi vetëm nëse ekipi nuk bën kthesën në rezultate dhe nëse nuk arrin objektivin që tashmë është i fiksuar: Pjesëmarrje në Europë. Në fakt, ky ka qenë një objektiv prej fillimit të sezonit, mirëpo ecuria e mirë dhe kryesimi i kampionatit prej shumë javësh, u duk se në klub do të kishte një ndryshim të objektivit.

Njoftim për shtyp

I menjëhershëm ishte dje reagimi i Vllaznisë, ku gjobat i justifikon me mungesën e realizimit të objektivit, por e quan gjobën një paralajmërim që skuadra të bëjë kthesë, por pranohet se janë marrë penalitete financiare, një masë që jo vetëm nuk e ndihmon zgjidhjen e ngërçit, përkundrazi, e thellon më tej krizën e rëndë të Vllaznisë. “Klubi i Futbollit Vllaznia pas rezultateve të dobëta të ekipit në ndeshjet e fundit të shoqëruara me performancë të dobët analizoi me qetësi përgjegjësitë për të gjithë stafin teknik si dhe lojtarët e aktivizuar. Duke qenë se në asnjë rast penalizimi nuk përbën qëllim në vetvete kemi marrë masa disiplinore dhe sanksione financiare me kusht që të ketë një mobilizim të gjithanshëm për rikthimin tek rezultatet pozitive ndaj stafit teknik dhe disa prej lojtarëve të cilët besojmë se kanë të gjithë potencialin dhe mundësitë e duhura për të arritur objektivin që klubi i ka vënë vehtes pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Të gjitha masat paralajmëruese ndaj stafit teknik dhe lojtarëve nuk do të aplikohen nëse ekipi në ndeshjet kryesore në vazhdimësi do të arrijë të marrë rezultate pozitive të cilat rrisin besimin tek publiku dhe garantojnë objektivin sportiv”, thuhet në njoftimin e Vllaznisë.

Fitorja në kupë largoi përkohësisht hijet e krizës

11 vite pritje për të qenë sërish në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Vllaznia ia doli të kualifikohej, edhe pse në fund vuajti ndaj Korabit. Një ndeshje që për hir të së vërtetës kuqeblutë e dominuan që nga vërshëllima e parë e Blerim Zirit e deri tek ajo e fundit, por ishte një dominim në qarkullim topi, pa “thumbuar” ashtu si duhet portën kundërshtare, madje në disa momente u shpërqendruan dhe mund të pësonin, siç ishte rasti i Taulant Markut në pjesën e parë apo mundësia e artë e Skukës në minutën e 90-të, ku u duhet bërë monument Zogoviçit dhe Mevlan Adilit. Fitorja e parë pas 5 takimesh do t’i shërbejë shumë psikologjikisht skuadrës së Brdariçit, sepse edhe ndaj Korabit u dallua një ngërç psikologjik tek ekipi, ndonjëherë me dëshirë, por pa qartësi dhe kthjelltësi. Shumë rëndësi ka rikthimi i dyshes Isaevski-Herald Marku. I pari zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, gjatë gjithë kohës imponues në lojën e tij dhe fizikisht në nivelin më të lartë, edhe pse mungonte prej 27 shkurtit, ndërkohë që edhe Marku i kish munguar shumë këtij ekipi, sepse një pjesë e madhe e aksioneve nisin pikërisht nga numri 10. Kupa është një objektiv, sepse me dy fitore Vllaznia jo vetëm që do të risillte trofenë në Shkodër pas 13 vitesh, por do të siguronte edhe një vend në kualifikueset e Europa League.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here