Zbardhen formularët e dekriminalizimit që kanë plotësuar disa nga kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Gazeta ka siguruar formularët e një pjese të kandidatëve të PS dhe LSI që i kanë dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa bie në sy se mes emrave ka shumë individë që kanë ndryshuar identitet dhe janë hetuar për plagosje, trafiqe deri tek fshehja e pasurisë. Më konkretisht, kandidatët më problematikë rezultojnë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu, nga partia e Kryemadhit, rezulton se Ardit Çela, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Beratit, sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka ndryshuar mbiemrin, pasi dikur e ka pasur Xello. Ndërkohë, ndryshime kanë bërë edhe prindërit e zotit Çela, teksa i ati e ka pasur emrin Petro dhe tani e ka Petrit, ndërsa e ëma e ka pasur Kristina dhe tani e ka Dallëndyshe. Po ashtu, Ilir Hysi, kandidati i LSI-së në Vlorë, rezulton se ka ndryshuar emrin nga Ilirjan në Ilir Hysi, ndërsa referuar formularit të dekriminalizimit, ai shkruan se në vitet 2002-2003 është hetuar në Itali për trafik të lëndëve të paligjshme, por sipas tij, në fund ka dalë i pafajshëm. Ndërsa një tjetër emër që rezulton se ka ndryshuar identitet është Artur Baku, i cili është kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Durrësit. Sipas formularit të dekriminalizimit që disponon gazeta, zoti Baku rezulton që më parë quhej Afrim dhe se sipas tij, emrin e ka ndryshuar për arsye personale, ndërsa është ndaluar në 2015 me akuzën e shpërdorimit ë detyrë, teksa procedimi është pushuar më pas.
Të hetuarit për plagosje dhe fshehje pasurie
Por nuk ndalet me kaq, pasi një tjetër emër që ka pasur “probleme” me ligjin, është Ferdinand Aligjoni. Ky i fundit është kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Vlorës dhe sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar pranë KZQ, rezulton i dënuar në vitin 1989 dhe në vitin 2018. Në vitin 2018 është dënuar për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa është ndaluar dhe në Torino për verifikim ku deklaron se ka dalë i pafajshëm. Ndërkohë, sipas formularit të dekriminalizimit që disponon gazeta, Durim Hoçja, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës, rezulton se është proceduar në vitin 2014 për plagosje, por që çështja në ngarkim të tij është pushuar. Nga ana tjetër,edhe Ded Ngreca, kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, sipas formularit të dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ, rezulton se është dënuar për fshehje ose deklarim të rremë pasurie. Ndreca është dënuar nga shkalla e parë në 2019, vendim të cilin e ka ankimuar në Apel. Ndërkohë, Bahri Shaqiri, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Durrësit, sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se ka ndryshuar mbiemrin nga Mujka në Shaqiri. Po ashtu edhe Lefter Maliqi, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, rezulton se ka ndryshuar mbiemrin, nga Brisku në Maliqi.
Ja gjetjet për emrat e PS
Mirëpo ndryshe nga kandidatët e LSI, kandidatët e PS, të paktën për atë pjesë që gazeta ka siguruar formularët e dekriminalizimit, rezulton se ata kanë bërë vetëm ndryshime gjeneralitetesh dhe identiteti, por jo të jenë përfshirë në krime. Kështu, i pari që hap festivalin e gjetjeve, është Lavdrim Krrashi, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, i cili sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se ka ndryshuar emrin nga Haki në Lavdrim. Po ashtu, Artan Bitri, kandidati i PS për Qarkun e Durrësit, rezulton se ka ndryshuar emrin nga Ergin në Artan. Ndërkohë edhe Vasil Sterjovski, kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Korçës, rezulton se ka ndryshuar mbiemrin, pasi dikur e ka pasur Sterjo. Gjithashtu edhe Shkëlqim Bullari, kandidati i PS për Qarkun e Elbasanit, sipas formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ, rezulton se ka ndryshuar emrin nga Jorgo në Shkëlqim.








































