Aktori shqiptar mjaft i njohur dhe në Greqi, Aleksandër Rrapi është dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” nga presidenti Ilir Meta.
Ai mori dekoratën e lartë me motivacionin:“Për talentin e spikatur dhe interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve të shumta në fushën e artit skenik, televizionit e kinematografisë, veçanërisht në skenat greke të teatrit e telenovelave dhe në diasporë. Me cilësitë dhe aftësitë e shquara artistike ka shënuar arritje të larta personale, si dhe ka demonstruar kudo vlerat më të mira të traditës së shkollës shqiptare të dramaturgjisë, artit dhe kulturës së vendit amtar”.
“I pajisur me talentin, përkushtimin dhe pasionin për artin e aktrimit dhe kinematografinë ai do të gdhendte faqe të rëndësishme suksesi në skenat e teatrit, filmit dhe ekranet e televizioneve, duke u konsideruar sot si njëri prej artistëve bashkëkohorë më të njohur të diasporës shqiptare. Arritjet e tij artistike i kanë kapërcyer me kohë kufijtë e Shqipërisë! Arti vërtetë nuk njeh kufij: Ai i përket gjithë njerëzimit dhe bashkon popujt dhe kulturat e tyre! Falë mjeshtërisë së tij, aftësisë shprehëse dhe cilësive artistike, fama dhe emri i Aleksandrit u bënë të dashur dhe të kërkuar për spektatorin dhe shtypin grek. Aktualisht ai renditet në ata pak aktorë shqiptarë nëpër botë që kanë interpretuar mjeshtërisht dhe me sukses tragjeditë dhe komeditë e lashtësisë greke”, tha presidenti Meta.








































