Shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse po kthehet në një qendër kulturore. Ajo i është nënshtruar një procesi restaurimi dhe së fundmi ministrja e Kulturës Elva Margariti zhvilloi një vizitë në këtë godinë. Ministrja shkruan se falë një bashkëfinancimi po kthehet në një qendër kulturore. “Në fshatin Gollomboç, në Prespë, ku po merr jetë shtëpia-muze e shkrimtarit Sterio Spasse. Falë një bashkëfinancimi ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Bashkimit Europian, nga një godinë e rrënuar, shndërruar në një kotec pulash, po kthehet në një qendër kulturore për zonën e turistët, që shijojnë peizazhin e mrekullueshëm të këtij fshati. Një investim, që do të shtrihet edhe në rijetëzimin e hapësirave publike, në Gollomboç”, shprehet ministrja e Kulturës. Sterjo Spasse lindi në Gollomboç, 16 shtator të vitit 1914 dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989. Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”. Si një bashkëpunim ndërkufitar, mes Bashkisë Pustec, Bashkisë së Bitolës, me ndihmën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, dhe me financim nga Bashkimi Europian nisi më parë puna për restaurimin e shtëpisë muze të shkrimtarit Sterjo Spasse.








































