Google search engine
Home Sport Reja ngre “stekën” e pretendimeve: Me Anglinë s’më kënaq barazimi, do të...

Reja ngre “stekën” e pretendimeve: Me Anglinë s’më kënaq barazimi, do të luajmë për fitore

0
240

Kombëtarja do të grumbullohet së shpejti në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Botërorit “Katar-2022”, ku Shqipëria do të ketë brenda një jave 3 ndeshje, dy në transfertë e një brenda fushës, fillimisht me Andorrën, më pas ndaj Anglisë në “Air Albania e sërish në transfertë ndaj San Marinos. Ambiciet e skuadrës përfaqësuese në këto tri ndeshje janë për maksimumin e pikëve, kështu mendon edhe trajneri Edi Reja, i cili ka ngritur “stekën” e pretendimeve, duke synuar 3 pikë edhe ndaj Anglisë, madje Reja thotë se as barazimi nuk do ta kënaqte. Një eufori e pashpjegueshme e trajnerit, i cili i beson fort grupit të tij kuqezi, edhe pse grupit këto ditët e fundit i kanë ndodhur shumë dëmtime të rëndësishme si Abrashi, Broja e ndonjë tjetër. “Detyra jonë është që të bëjmë mirë dhe të marrim maksimumin ndaj Andorrës dhe San Marinos. Me gjithë respektin, këto janë kundërshtarë më poshtë nesh dhe duhet të marrim maksimumin. Sa i përket ndeshjes me Anglinë, edhe aty do të luajmë për tre pikë, por është një sfidë, e vështirë. Megjithatë unë nuk do të firmosja për barazim, pasi ndeshja si fillim duhet luajtur dhe ne jemi gati të bëjmë maksimumin ndaj tyre. Është një grup i vështirë, pasi vetëm Andorra dhe San Marino janë më të dobëta se ne. Hungaria po kalon një moment shumë të mirë, ashtu si Polonia e Anglia, që kanë vlera shumë të mëdha, Megjithatë ndeshjet luhen në fushë dhe unë mezi pres të shoh a kemi bërë hapa të tjerë përpara në rrugëtimin tonë”, theksoi Reja në proononcimin e tij dhënë për emisionin “Zona Goal” në “Supersport”. Më pas trajneri foli për dëmtimet e disa lojtarëve dhe gjendjen e grupit në këtë moment. “Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me lojtarët dhe kemi komunikuar shpesh, sidomos me ata që flasin italisht. Kemi vëzhguar ecurinë e tyre dhe të gjithë mezi presim të grumbullohemi e të bëjmë mirë me kombëtaren. Për fat të keq dëmtimet na kanë hapur punë shpesh, pasi edhe këtë herë Abrashi ka problem. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe ka bërë mirë sa herë që ka luajtur, por nuk luan prej kohësh për shkak të një dëmtimi. Gjasula është rikthyer të stërvitet me skuadrën dhe më ka garantuar që ndihet mirë, ndaj do ta thërras për të parë nëse mund të luajë nga fillimi apo jo. Kemi shumë nevojë për të, pasi në mungesë të Abrashit, nuk kemi lojtar tjetër me ato tipare para mbrojtjes”, shtoi ai.

Me tifozë kundër Anglisë

Trajneri Reja u entuziazmua kur mori vesh se FSHF po punonte që ndeshja me Anglinë të luhej me tifozë, të paktën në masën 30%. “Do të ishte e mrekullueshme të kishim 30% të tifozëve në stadium, pasi do të ishin një ndihmë e madhe, sidomos për ndeshjen me Anglinë. Pa tifozë ndeshjet nuk kanë të njëjtin entuziazëm dhe të njëjtën bukuri, ndaj do të donim t’i kishim si një shtysë më shumë”, nënvizoi tekniku veteran italian i përfaqësueses tonbë. Në fund ai nuk la pa përmendur edhe gjendjen e disa lojtarëve si Hysaj e Strakosha që luajnë në Serie A. “Hysaj ka luajtur shumë dhe ka bërë mirë.Kur ka kalendar të ngjeshur, të vjen radha gjithmonë për të luajtur dhe ai ka treguar se mund ta bëjë shumë mirë si krahun e djathtë, ashtu edhe të mjaftin.Ndryshe nga viti i kaluar me Ancelottin, Gattuso e ka aktivizuar shumë shpesh dhe sonte ai bëri një tjetër ndeshje shumë të mirë. Mbyllte vazhdimisht krahun e tij dhe ndihmoi jo pak edhe në fazën e avancuar, teksa ishte një nga nismëtarët e aksionit të golit. Strakosha ka një dëmtim në gju, që nuk po e lë të stërvitet si duhet, por ka cilësi shumë të mira teknike dhe është shumë i zoti, ndaj shpresoj që të rikthehet sa më shpejt të luajë për Lacion dhe Kombëtaren”, theksoi Reja. Duket qartë se trajneri është i vendosur për të marrë maksimumin në këto tri ndeshje të para eliminatore, teksa beson se grupi që ka në dispozicion mund ta tejkalojë ngërçin e ekipit inferior e të tregojë në fushë se është skuadër me pretendime të mëdha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here