Merkato po vjen e fuqishme këtë edicion, pasi Reali po lakmon yjet, ndërkohë që edhe Milani po bën përpjekje të rikthehet në rangun e më të mirëve
Merkato do të hapet zyrtarisht më 1 qershor, por klubet e mëdha europiane i kanë nisur tashmë lëvizjet e tyre, duke paralajmëruar një betejë të fortë në treg për emrat më të mirë. Në radhë për kualitetet më të mira janë të gjithë, duke nisur nga Reali i Madridit, Çelsi, PSG, Milan, Juventusi e Barcelona. Kështu, referuar medieve spanjolle, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka bërë gati 70 milionë euro për mesfushorin e Lacios, Milinkoviç-Saviç, që cilësohet super i talentuar. Në fakt, ndryshe nga viti i kaluar, Real Madrid do të rikthehet në verë të bëjë një merkato të rëndësishme për të rinovuar skuadrën. Një goditje pritet në mesfushë dhe Florentino Perez hedh sytë nga Milinkoviç-Saviç si pasuesin e Modriç për këtë repart. Mësohet se drejtuesit madrilene kanë nisur kontaktet me agjentin e lojtarit serb dhe mendohet se operacioni pritet të mbyllet për 70 mln Euro në total, shumë kjo që nuk do të refuzohet nga Lazio në një situate të vështirë financiare. Ndryshe nga Reali, trajneri i Totenhemit, Hoze Murinjo, ka piketuar mbrojtësin e Sauthemptonit, Janik Vestergard. Tekniku portugez i ka idetë e qarta për përforcimin e skuadrës. Trajneri portugez ka si prioritet një goditje në mbrojtje dhe ka shënjestruar pikërisht Janik Vestergard të Southampton, i cili kushton 15-17 mln euro. Lojtari danez ka kontratë deri në vitin 2022 me klubin dhe nuk dëshiron të rinovojë çka ndihmon Totenham të bëjë një ofertë të pranueshme për arkën e klubit. Dëshira e Vestergard prej kohësh është të luajë në një ekip të madh dhe gjasat për të kaluar te Spursat në verë janë të mëdha. Ndërkohë, raportohet në mediat italiane se Milani i ka vënë syrin kualitetit të Fiorentinës, Vlahoviç. Në fakt, Milani po kalon një periudhë jo shumë të mire teksa dëmtimet kanë ndikuar shumë në paraqitjet e kuqezinjve. Maldini mendon të kompletojë repartin e sulmit me një lojtar të ri që e njeh mire Serinë a dhe Vlahoviç do të ishte goditja ideale në verën e ardhshme. 21-vjeçari ende nuk po rinovon kontratën me Fiorentinën çka ka tërhequr vëmendjen e Milanit por edhe të Romës ndërsa për drejtuesit vjollcë lojtari është i pashitshëm për momentin. Së fundmi, mediat sportive spanjolle shkruajnë se Sevilja është pranë një goditje të rëndësishme. Kështu, Florian Thauvin është një nga lojtarët më të vlefshëm në Europë që do të jetë okazion në verën e ardhshme, pa skuadër dhe pa shpenzime të mëdha. Prej kohësh, sulmuesi i Marsejës ka deklaruar se rinovimi është larg çka ka ndezur një luftë të madhe për shërbimet e tij. Sevilla është ekipi më i interesuar për 28-vjeçarin teksa edhe Milani ndjek me vëmendje situatën por tani është përfshirë në garë edhe Leicester. Me këta të fundit që pothuajse e kanë të sigurt një vend në Champions, nuk do ta kenë të vështirë t’i ofrojnë një page të rëndësishme sulmuesit francez. Pra merkato e verës pritet të jetë e ndezur mes skuadrave të mëdha europiane, me shumë emra të fuqishëm që pritet të lëvizin në treg.








































