Partizani ndodhet në pozita të mira këtë sezon, pasi rivalizon fort në dy fronte, si në kampionat ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë dhe nuk përjashtohet mundësia që të bëjë “bis” këtë edicion. Por që të shkojë tek objektivat e tij madhorë, ekipit të kuq i duhet të “asgjësojë” Laçin, këtë “mace të zezë” të Superligës tonë, skuadër që me dinjitet po qëndron i fortë dhe i qëndrueshëm në radhët e më të mirëve, duke ia dalë të sfidojë e të përfitojë vende nderi që i kanë mundësuar pjesëmarrje në Ligën e Europës. Partizani do të ndeshet me laçin në kampionat, por më së pari do ta ketë këtë përplasje në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë këtë të mërkurë. Objektivin e dyfishtë të Partizanit këtë sezon e përmendi dhe vetë presidenti Gazment Demi në emisionin televiziv “Rubrika Sportive”, i cili i ka lënë dorë të lirë trajnerit Ilir Daja dhe duket se nuk është i zhgënjyer prej tij, përderisa me modesti tekniku i njohur i kampionatit po e mban Partizanin në avangardë të pretendimeve sezonale. “Jam i pak i kënaqur për trepikëshin e radhës pasi humbëm 5 pikë në dy ndeshjet më para. Mërzinë e kam akoma se duhej të ishim në vend të parë, por është një fitore e merituar e ekipit. Shpresoj që të ecë në këtë rrugën e duhur siç ka nisur në derbi. Këtë fitore e kam në dedikim të veçantë për një vëlla tim, për mikun tim Bashkim Fino që është duke kaluar COVID dhe kjo fitore shpresoj që të ketë qenë vetëm për atë. Ishte një ndeshje e mirë, e merituam ndeshjen. E kisha dëshirë të shënonte Bardhi dhe shënoi, ai është lojtari im i preferuar, ma plotësoi dëshirën. Mendoj se Laçi ka një ekip shumë të fortë, ekip serioz, shpresojmë që të shkojmë deri në fund afër Laçit, kemi edhe një ndeshje direkte, pavarësisht se kemi Kupën këtë javë. Unë i kam qejf të dyja, se sa do arrijmë nuk e di se siç e dinë të gjithë, Partizani bëri dy gabime shumë të mëdha në dy ndeshjet e fundit e nuk mund të them sot. Por në karakterin tim do të dëshiroja që t’i kemi të dyja deri në fund”, theksoi ndër të tjera presidenti Demi.
Titulli, tek Partizani po përgatisin ambientin për trofeun e madh
Presidenti Demi ka qenë i qartë në deklaratat e tij, duke qëndruar në të njëjtën linjë sikurse trajneri Daja. Ky i fundit përsërit të njëjtin “referen” në çdo dalje për mediat: “Partizani është emër i madh, objektivi i kësaj skuadre është gjithmonë titulli”. “Siç e ka thënë, Partizani është skuadër e tillë që gjithmonë ndërtohet për titull, këtë herë nuk bëmë dot merkato, por mendoj se jemi mirë. Blerjet e fundit nuk janë aktivizuar të gjitha. Janë edhe 12 javë, e di Daja që e dashuroj në konceptin e trajnerit dhe burrit të mirë, në fjalën titull e përmendim patjetër se jemi Partizani dhe sa të jem unë president. Por pa presion, asnjë problem nuk ndodh se që kur e kemi nisur e kemi nisur me qetësi për një ekip në vazhdimësi, me idenë që të mbaronim kompleksin e kishim fushat tona. Me trajnerin besoj se do të arrijmë këtë herë e shpresojmë deri në fund se do të jemi ekipi kampion. Pas daljes kampion menduam të bënim ekip më të madh, fatkeqësisht nuk arritëm të plotësonim atë që duhet, edhe lojtarët e trajnerët që afruam nuk patën nivelin. Kur mendon për të bërë më mirë, nganjëherë del gabim. Ndaj patëm një disfatë, për opinionin tim është disfatë e turpshme e kam thanë që nuk është turp të thuash që gabuam. Me ardhjen e Dajës dhe mbarimin e kompleksit që i kam dhënë fjalën, them se do ecë më mirë, them që me trajnerët shqiptarë mendoj se do të jemi shumë më lart. Daja ka qejf të dalë në pension bashkë me mua, ndaj e kam projekt afatgjatë me të dhe shuam seriozisht”, nënvizoi më tej presidenti i Partizanit, Gazment Demi. Në fund, një koment “thumbues” i tij për gjyqtarët, të cilët edhe vetë specialistët i kanë cilësuar jo në lartësinë e kërkuar. “Unë të jem korrekt nuk njoh asnjë arbitër, kush thotë që më njeh gënjen. Nuk jam marrë asnjëherë, të jem korrekt arbitrimi nuk është në nivelet e mesatares, kur i bëjnë jo qëllimisht të gjithë e kuptojnë, pro ka raste që i bëjnë qëllimisht. I bëj thirrje të ruajnë qetësinë e dinjitetin e të bëjmë kampionat serioz.. Lë për të dëshiruar arbitrimi dhe shpresojmë të rregullohet sa më mirë. As me VAR nuk e zgjidh dot se edhe ai njerëz ka, duhet zgjidhur me njerëzit”, përfundoi njëshi i “demave të kuq”.








































