Premier League angleze luajti dje shumicën e ndeshjeve të xhiros së 28-të, ku spikati në veçanti dueli derbi i Londrës ndërmjet arsenalit dhe Totenhemit. Në duele të tilla brenda qytetit nuk vlejnë renditjet dhe përbërja e skuadrave, as pozitat e ekipeve, pankinat apo trajnerët, por shpirti i grupit dhe Arsenali e pati dje me shumicë këtë element në duelin me rivalin e vjetër. Kështu, derbi i Londrës shkon për Arsenalin, që mposhti me përmbysje 2-1 Totenhemin në “Emirates Stadium”, në një sfidë spektakolare që pati gjithçka për një ndeshje futbolli, si karton të kuq, gol spektakolar e penallti. Vetëm pak para sfidës, trajneri spanjoll Mikel Arteta përjashtoi nga formacioni dhe dërgoi në tribunë kapitenin Pierre Emenik Obamejang për çështje disiplinore, ndërsa “topçinjtë” hynë menjëherë mirë në ritmin e ndeshjes. Në minutën e 19-të Murinjo humbi shërbimet e sulmuesit korean Hueng Min Son, që u dëmtua dhe u zëvendësua nga Erik Lamela, ndërsa pikërisht argjentinasi zhbllokoi sfidën me një gol mjaft të bukur në të 33-ën. Reagimi i Arsenalit ishte mjaft i mirë dhe pas disa sulmeve të rrezikshme, ishte danezi Odegard, që riktheu baraspeshën, pasi gjuajtja e tij nga brenda zonës, gjeti devijimin e Alderveireld dhe përfundoi në rrjetën e portës së Hugo Lloris. Pjesa e dytë nisi më mirë për Totenhemin, por kur dukej se “Spurs” po merrnin kontrollin e lojës, ishte Davinson Sançez që shkaktoi një penallti naive ndaj Lakazete dhe sulmuesi francez nuk e pati të vështirë të shënojë nga 11 metrat golin e avantazhit për “topçinjtë”. Ndeshja u komplikua edhe më shumë për Totenhemin në minutën e 76-të, kur Erik Lamela mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me një futbollist më pak për minutat e mbetura të takimit. Ndonëse në inferioritet numerik “Spurs” arritën të shënojnë me Herri Kejn, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa pak më vonë ishte portieri gjerman Leno që shmangu golin e barazimit me një pritje spektakolare. Vërshëllima finale e arbitrit Majkëll Oliver la në fuqi suksesin 2-1 të Arsenalit, që ngjitet në kuotën e 41 pikëve, ndërsa Totenhem mbetet me 45 pikë dhe i largohet edhe më shumë zonës europiane të renditjes. Më herët Leicester triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Shefield Junajtid dhe blindoi pozitat në zonën Champions të renditjes, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë të renditjes. Kurse Sauthemptoni humbi në fushën e tij përballë Brajtonit. Duhet thënë se renditjen e Premier League e kryeson Mançester Siti, me 71 pikë në 30 ndeshje të luajtura, ndërsa ndiqet nga Leicester Siti me 56 pikë në 29 ndeshje, si dhe Mançester Junajtid në vend të tretë me 34 pikë në 28 ndeshje të luajtura. Top-4 e renditjes që të çon në zonën Champions kompletohet nga Çelsi me 51 pikë në 29 takime të luajtura. Duket qartë se Mançester Siti i Pep Guardiolës bën diferencë dhe po shkon i sigurt drejt titullit.