Google search engine
Home Sport Prag derbi në kryeqytet/Tirana dhe Partizani luajnë të shtunën fatet e sezonit

Prag derbi në kryeqytet/Tirana dhe Partizani luajnë të shtunën fatet e sezonit

0
315

Këtë të shtunë do të luhet derbi i kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit, në kuadër të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, që korrespondon me duelin e tretë midis tyre për këtë kampionat. Entuziazmi në gjirin e skuadrave është i madh, rivalitet ka por mungojnë emocionet sepse nuk do të ketë tifozë dhe ndeshja do të luhet në mesditë, në orën 13:00. Si rrallëherë më parë, atmosfera nuk ndizet as nga tifozeritë, në atë që deri tani ka qenë pragndeshje më e qetë që kujtohet në dekadën e fundit për këtë sfidë. Partizani u mundua që të nxehte pak atmosferën me një video të postuar në rrjetet sociale dy ditë më parë. Por përgjigja e zakonshme e Tiranës këtë radhë mungoi dhe mes dy klubeve praktikisht u mbyllën thumbimet e zakonshme me video dhe foto që kanë shoqëruar këtë sfidë në të kaluarën. Njëkohësisht, edhe nga vetë skuadrat ka patur më shumë qetësi dhe janë shmangur të gjithë deklaratat euforike për një ndeshje të tillë. Duke e cilësuar sfidën si “ndeshjen e radhës”, vetë Tirana me Partizanin e kanë kthyer këtë sfidë në një duel të tillë, për të larguar trysninë nga lojtarët për ditën e sfidës dhe për të menduar më shumë për rezultatin e atë që sjell për renditjen. Pritet nga të gjithë të jetë një derbi i ndezur, është kthyer thjesht në përballjen e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, duke bërë edhe më të pazakontë këtë derbi në edicionin e çudive në futbollin shqiptar.

Orges Shehi: Dikur kam qenë “dem i kuq”, por tani dua fitoren e Tiranës

Në një intervistë për “RTSH”, trajneri Orges Shehi tregoi besimin që ka se ekipi është në rrugën e duhur për të vazhduar ngjitjen graduale në klasifikim. Një klasifikim ku për momentin Tirana është larg kreut, por ku Shehi sheh përsëri çdo gjë të mundshme, më shumë se Europën që duket aktualisht si objektivi i vetëm. “Gjendja është e mirë sidomos pas tre fitoreve, gjë që na jep besim për të bërë dhe për të kuptuar atë që kemi bërë mirë, çfarë keq e ku duhet të shkojmë. Nuk dua të merrem me të kaluarën, nuk më përket mua dhe nuk jam në brendësi të gjërave ndaj do të fokusohem vetëm nga momenti që kam ardhur këtu. Kam ardhur në një situatë ku skuadra e vuante pak rezultatin dhe këtë e konfirmoi pas fitores në Fier, e pashë se si e festuan, kishin një ngërç psikologjik. Sigurisht bënë mirë me dy fitoret por morëm atë çfarë dhamë me Kukësin, pastaj ishte ndeshje për tu harruar me Teutën. I kemi bërë mirë këto tre ndeshjet e fundit. Pra besoj se kemi kaluar atë situatën e vështirë ku ishim dhe po shohim për t’u ngjitur sa më lart. Që në momentin që mora skuadrën deri tani, rikuperimi i pikëve është i kënaqshëm. Ndoshta mund të bënim pak më mirë, ka gjithmonë vend për përmirësim. Por është një garë e gjatë, me kundërshtarë shumë të fortë përpara. Por duke pasur edhe 13 javë në lojë, sigurisht që do të tentojmë në të gjitha mënyrat për t-u ngjitur. Por shkallë-shkallë, për të mos menduar se do të shkojmë me ashensor, por avash-avash dhe duam të jemi aty ku na takon”, tha Shehi. Më pas zbuloi se ka qenë pjesë e të kuqve, por tani do fitoren e bardhebluve. “E shkuara ime si futbollist, që kam qenë për katër vite te Partizani, sigurisht në një kohë relativisht shumë vite përpara, ndoshta shumë pak e dinë që kam qenë pjesë e asaj skuadre. Por jemi profesionistë, i kam hyrë një rruge tjetër e jam trajner dhe jam i lumtur që kam besimin e një klubi kaq të madh siç është Tirana. Sigurisht është derbi im i parë, por si unë, edhe skuadra do ta presim me qetësi dhe besim për mirë. Kemi brenda skuadrës futbollistë të ekipit kombëtar, me shumë eksperiencë në kampionatin tonë dhe kampionë jo vetëm me Tiranën, por edhe me ekipe të tjera. Tirana ka stofin për të pretenduar më shumë se Europa”, nënvizoi më tej Shehi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here