Shërbimi i përmbarimit gjyqësor ashtu si shumica e shërbimeve në vitin 2020 është ndikuar nga situate e pandemisë duke mos arritur të realizojë parashikimin lidhur me titujt ekzekutivë. Të dhënat e raportuara nga ky institucion pranë Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se u ekzekutuan 28 për qind më pak tituj sesa plani për shkak të kufizimeve.
“Produkti i parë është realizuar pjesërisht, pasi në zbatim të Aktit Normativ Nr.13, datë 2.04.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për Marrjen e Masave të Veçanta në Fushën e Veprimtarisë së Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor , Ndërmjetësimit dhe Administrimit të Procedurave të Falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19, miratuar me Ligjin Nr.34/2020 dhe në zbatim të Urdhrit nr.525, datë 11.03.2020 “Për Pezullimin e Veprimtarisë dhe Shërbimeve në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror” të Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit, është pezulluar pjesërisht veprimtaria e Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor, përveç titujve ekzekutivë që janë të përcaktuara në Vendim të Këshillit të Ministrave. Janë ekzekutuar 9,163 tituj ekzekutivë, nga 12,705 të planifikuara” raportoi Ministria.
Nga ana tjetër i njëjti raport bën me dije se nën Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor bie edhe një produkt tjetër që është ai i ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes që sërish rezultojnë me një nivel më të ulët sesa planifikimi.
“Për periudhën Janar-Dhjetor 2020, rezultojnë në total 528 çështje “Urdhër mbrojtje ” dhe “Urdhër të menjëhershëm mbrojtje “, nga këto rezultojnë 339 çështje me objekt “Urdhër mbrojtje ” dhe 189 çështje me objekt “Urdhër të menjëhershëm mbrojtje” . Janë ekzekutuar tërësisht 360 çështje dhe 163 çështje (urdhra mbrojtje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtje) janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Produkti i dytë Administratë Funksionale është realizuar plotësisht sipas parashikimit” bën me dije ministria.
Shërbimi përmbarimor sipas ministrisë nuk ka krijuar detyrime të prapambetura ndërkohë që gjatë vitit të shkuar ka pasur të paktën 10 vende vakante në personel./Monitor








































