Google search engine
Home Sport Junajtid dhe Milani barazojnë në duelin e “djajve” në Europa League, shkëlqen...

Junajtid dhe Milani barazojnë në duelin e “djajve” në Europa League, shkëlqen Ajaksi

0
289

Kryendeshja e kësaj faze në Ligën e Europës përfundoi në barazim 1-1, ku italianët shënuan në sekondat e fundit. Ajaksi dërrmon Jang Bojsin

Liga e Europës u kthye mbrëmë me ndeshjet e para të fazës së 1/8 e finales, ku ra në sy dominimi i skuadrave të mëdha përballë atyre më modeste. Në fakt, vëmendja e mbrëmjes së djeshme ishte në Mançester, atje ku Junajtid priti Milanin, në sfidën e parë midis tyre. Ishte një duel “djajsh” (nisur nga nofka që kanë të dy skuadrat), por një përballje e tillë nuk prodhoi fitues, sepse takimi përfundoi në barazim 1-1. Në fakt po udhëhiqte Junajtid deri në fund, por italianët e barazuan rezultatin në sekondat e fundit, duke e bërë emocionuese duelin e kthimit midis tyre. Sa i takon ndeshjes, ajo u dominua nga anglezët, kurse Milani diti të shfrytëzonte disiplinimin taktik dhe racionalitetin në veprimet e lojtarëve, që rezultuan mjaft efikas në fund të ndeshjes. Frenk Kesie shënoi për Milanin në minutën e 12-të, por VAR e anuloi atë. Në pjesën e parë u duk se Milani do ta dominonte ndeshjen, nisur nga starti shumë i mirë i kuqezinjve. Por përvoja e Junajtid, kualitetet ë ka në skuadër dhe fakti që ishte në fushën e tij, ndikuan pozitivisht për anglezët. Me kalimin e minutave Junajtid e rriti ndjeshëm presionin në fushë dhe krijoi më shumë raste, por gjatë pjesës së parë mungoi goli, për pasojë fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll në barazim 0-0. Në pjesën e dytë do të vinte ndryshimi në rezultat, pasi në minutën e 50-të Diallo shënoi golin e epërsisë për anglezët pas asistimit nga Bruno Fernandez. Ky gol i dha qetësinë e duhur ekipit të “djajve anglezë”, të cilët ditën të menaxhojnë si duhet deri në minutën e fundit. Por, pikërisht në minutën e fundit, madje në sekondat e fundit të minutës së dytë shtesë, Milani gjeti golin e barazimit me anë të Simon Kjaerit. Ishte një gol me vlera të mëdha në këtë përballje të parë midis dy “djajve” të futbollit europian. Ky gol i jep avantazhe të dukshme skuadrës italiane për duelin e kthimit, pasi ndeshjen tjetër do të mjaftonte një fitore e ngushtë që t’i siguronte Milanit kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Ndërkohë, sa u takon ndeshjeve të tjera, një fitore mbresëlënëse dhe bindëse arriti Ajaksi i Amsterdamit, i cili mundi 3-0 Jang Bojsin zviceran, skuadër që kishte eliminuar më herët Tiranën në “play-off” të fazës kualifikuese të këtij kompeticioni. Të tre golat për holandezët u shënuan në pjesën e dytë të takimit. Ndërkohë, një fitore të pastër e bindëse mori edhe Vilareali që mundi në transfertë Dinamon e Kievit, me rezultatin 2-0. Kjo fitore i ndihmon spanjollët për ndeshjen e kthimit dhe praktikisht Vilareali është një hap larg çerekfinaleve. Një tjetër ndeshje interesante ishte ajo mes Slavies së Pragës dhe Gllasgou Rejnxhërs, e cila u mbyll në barazim 1-1, duke e lënë të hapur kualifikimin. Rezultatet e mbrëmjes së djeshme në Europa League jepen në tabelën e mëposhtme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here