Google search engine
Home Sport Gavrina kërkon votat e shqiptarëve për Komitetin e UEFA, zbulon se në...

Gavrina kërkon votat e shqiptarëve për Komitetin e UEFA, zbulon se në Itali luajnë futboll 14 mijë shqiptarë

0
392

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë të mira në çdo fushë e në këtë kuadër nuk bën përjashtim sporti e veçmas futbolli. Këtë e vërtetoi më së miri vizita e djeshme që bëri në vendin tonë kreu i federatës italiane të futbollit, Gabriele Gavrina, i cili takoi homologun e tij shqiptar, kreun e FSHF-së, Armando Duka. Zyrtarisht në takime fokusi ishte tek marrëdhëniet midis dy federatave dhe se si të zhvillohej futbolli reciprok, por zgjedhjet e ardhshme në UEFA, për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duket se kanë sjellë në Tiranë kreun e futbollit italian, për të kërkuar mbështetjen e Dukës dhe ky i fundit duket të ketë ndikuar edhe në afrimin në kryeqytet të krerëve të federatës së Kosovës dhe të Maqedonisë, shqiptarë nga etnia sigurisht, që të konsolidojnë marrëdhëniet dhe të japin ndihmën e tyre edhe me votë për Gavrinën. Ky i fundit, entuziast nga pritja, por edhe mbështetja që ka marrë, nuk i kurseu elozhet për Dukën dhe krerët e federatave të tjera, duke inkurajuar investimet në futboll, por edhe duke lidhur ura bashkëpunimi ku kontigjenti shqiptar në Itali bën diferencë me 14 mijë futbollistë.

Takimet

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka vizituar Shqipërinë bashkë me presidentët e Federatave të Kosovës, Agim Ademi dhe Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini. Të gjithë kanë qenë sot në vendin tonë për të parë ecurinë e punimeve të shtëpive që po rindërtohen me fondet e siguruara nga familja e futbollit pas tërmetit që goditi në nëntorin 2019. “Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre. E kam vlerësuar shumë qasjen e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq. Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit. Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për gatishmërinë dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut!”, ishin fjalët e Gravinës para gazetarëve.

“Jo politikë, por vetëm sport”

Gavrina e ka hedhur poshtë më faktin se kjo vizitë kishte qenë për arsye “politike”, pasi së shpejti vijnë zgjedhjet në UEFA dhe ai është kandidat për Komitetin Ekzekutiv të saj. “Jo, sot nuk duam të merremi me politikë. Mund të flisnim edhe në telefon për këtë çështje. Prezenca ime këtu është një formë respekti për z. Duka, sepse e meriton e sepse bashkëndajmë një rrugëtim të rëndësishëm, por mbi të gjitha sepse unë besoj që Italia, Shqipëria dhe futbolli duhet të zbulojnë edhe kuptimin e të qenit së bashku. Nuk mund të humbasim ato që janë momentet e ekzaltimit të sportit tonë, duke jetuar vetëm kompeticionet sportive. Kemi nevojë të takohemi nga afër. Kemi qëndruar bashkë mbrëmë në një atmosferë të shkëlqyer, sot do të kalojmë një tjetër ditë bashku dhe më lejoni të them se kjo është forca e ndjenjës së madhe që na bashkon”, theksoi numri 1 i FIGC.

14 mijë shqiptarë ushtrojnë futboll në Itali

Ndërkohë, Gravina pranoi se mund të bëhej më shumë për futbollistët e rinj shqiptarë që aktivizohen me skuadrat italiane, pasi aktualisht shumë prej tyre vuanin probleme me dokumentacionin. “Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj. Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat”, deklaroi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here