Gazetari investigativ Artan Hoxha ka treguar detaje interesante nga vrasja e Behar Sofisë në Tiranë. Ai tha se para disa kohësh po kërkonte lokalin që kishte në pronësi Sofia.
Hoxha tha se është befasuar kur ka hyrë në lokalin e tij pa e ditur.
“Kam një rast të freskët para dy javësh kur ndodhi vrasja në Tiranë. Kisha dy vjet që kërkoja emrin e lokalit të atij tipit. Ai nuk ishte i njohur mediatikisht. Madje deri në ditën që ai u vra nëse kërkoje në internet 90 % të shkrimeve dilnin me emrin tim. Ai ishte një nga dinozaurët e krimit të organizuar me pozitë shumë të fortë në trafikun e heroinës. Unë po i kërkoja lokalin këtij, por kur hyja në zonë, në lagje kisha frikë të pyesja. Hyja në një lokal afër me një mik dhe aty shihja që kishte prokurorë, gjyqtarë, deputetë, shefa policie, më dukej lokal i mirë. Pas dy vitesh, me një mikun tim, oficer i lartë i policisë, sapo u ulëm porositëm çaj, kur ma vijnë dy pjatanca me djathëra, proshutë dhe një shishe verë. E pyes kamarierin kush e solli, më tha është nga pronari. Ai kaloi aty na përshëndeti. Ka patur veshur një xhup lëkure. Unë sa e pashë e njoha. Ky mos është Behari mo? Çohu more i thashë, kam dy vjet që kërkoj lokalin. Vendi e kishte hyrjen dhe përpara dhe mbrapa. Unë hyja nga mbrapa lokalit”, u shpreh Hoxha.








































