Kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, duket se do të ketë një betejë të vështirë për të siguruar kandidimin në zgjedhje. Edhe pse ai ka dorëzuar listat dhe vetë garon në Tiranë dhe në Shkodër, sytë tani janë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ambasadorja amerikane Yuri Kim dje e bëri të qartë se SHBA do të luftojë fort për largimin e Tom Doshit dhe sipas informacioneve, shpallja e tij “non grata” nga SHBA pritet të përdoret si element për të mos lejuar të kandidojë. Ligji i dekriminalizimit është fokusuar kryesisht te personat e dënuar, mirëpo ka dhe një përcaktim ku ndalon kandidimin e individëve që janë dëbuar nga shtetet e BE, SHBA, Kanadaja dhe Australia. Bëhet fjalë për nenin 2, pika 2/b i cili thotë: “Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave: që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të shtetit përkatës”. Pika 1 që përmendet aty ka të renditura veprat penale që nëse janë kryer nga një individ atij i ndalohet kandidimi. Përveç shumë veprave penale, aty janë dhe nenet 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç që kanë të bëjnë me korrupsionin. Në vitin 2018, SHBA e ka shpallur “non grata” zotin Doshi pasi e akuzon se është i korruptuar. “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”, thuhet në vendimin e DASH.
Argumentet
Sipas burimeve, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të zhvillohet një debat shumë i gjerë për Doshin, pasi përcaktimi në fjalë duhet interpretuar. Ligji flet për dëbim dhe kjo pritet të sqarohet, ndërkohë që lihen shumë hapësira interpretimi pasi në pikën 2/b theksohet që ndalohet kandidimi nëse është dëbuar për një nga veprat penale që përmenden më sipër. DASH e akuzon atë për korrupsion dhe në ligj janë përfshirë të gjitha nenet që kanë të bëjnë me korrupsionin. Elementi tjetër në nen është se përjashtohen dhe ata që janë dëbuar për cenim të sigurisë në këto shtete. Vetë ambasadorja Yuri Kim dje nga Elbasani foli pikërisht për të njëjtën gjë. “Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit, dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Dhe nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, mendoj se është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj”, tha Kim. Po ashtu dyshimet janë se Tom Doshi është bllokuar dhe nga Australia, shtet që përcaktohet po në ligj. Dje edhe PD ka bërë një kërkesë duke deklaruar se ligji e penalizon Doshin dhe duket se kreu i PSD do të ketë betejë të fortë në KQZ, pasi ky përcaktim mund ta ndalojë që të jetë në garën e 25 prillit.








































