Thirrjet e vazhdueshme të ambasadores amerikane dhe diplomatëve të tjerë në vendin tonë duket se nuk janë dëgjuar, pasi partitë politike kanë përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë persona të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
Partia Demokratike ka renditur të 8-in në Durrës, Rezeart Tushën, por ky person rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Zvicër për trafik lëndësh narkotike.
Dokumenti i lëshuar nga zyra për të huajt në Federatën e Zvicrës, që i dërgohet ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, njofton ndalimin e hyrjes në Zvicër dhe Lihtenshtejn për shtetasin shqiptar Rezeart Tusha.
Ky ndalim hynte në fuqi prej tetorit të vitit 1997 dhe nëse shkelej do të kishte dënim me 1 vit burg. Rezeart Tusha është arrestuar në Zvicër në 18 shtator të vitit 1994 nga policia e Gjenevës dhe i është gjetur 42.5 gram drogë e llojit heroinë, ndërsa gjatë marrjes në pyetje Tusha ka pranuar se trafikonte narkotikë për të siguruar të ardhura dhe se ka kaluar edhe më parë qese me drogë, raporton Top Channel.
Rezeart Tusha nuk e ka paraqitur ende në KQZ formularin e dekriminalizimit, ndërkohë që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u ka lënë 5 ditë kohë partive që të plotësojnë dokumentacionet e nevojshme.
Letra e zyrës së emigracionit në Zvicër drejtuar Ambasadës zvicerane në Shqipëri ku i kërkon mosdhënien e lejes së udhëtimit për shtetasin Rezeart Tusha, pasi ishte arrestuar me një sasi heroine në Gjenevë:










































