Google search engine
Home Sport “Zemra ime rreh për Shqipërinë”, talenti shqiptar i Empolit braktis Zvicrën për...

“Zemra ime rreh për Shqipërinë”, talenti shqiptar i Empolit braktis Zvicrën për kuqezinjtë

0
269

Zvicra, Gjermania dhe Italia janë tre vendet që kanë më së shumti lojtarë me origjinë shqiptare. Armata e parë u përket lojtarëve me origjinë kosovare, kryesisht në Zvicër, Austri, Gjermani e më pak në vendet skandinave. Nga ky kontigjent ka përfituar shumë edhe Shqipëria pas vitit 2002 kur erdhi fillimisht Besnik Hasi e Lorik Cana. Vit pas viti kontigjenti i lojtarëve shqiptarë me origjinë nga Kosova u shtua dhe situata erdhi duke u përmirësuar, aq sa në eliminatoret e Europianit “Francë-2016 dhe në finalet e atij aktiviteti, më shumë se gjysma e lojtarëve të grumbulluar ishin me origjinë nga Kosova, duke pasur një kontribut thelbësor në sukseset e grupit. Cana, Mavraj, Berisha, Xhaka, Abrashi, Lenjani e ndonjë tjetër ishin në formacionin titullar. Edhe sot një numër i madh janë me origjinë nga Kosova, ku Gjimshitit me shokë u janë shtuar disa të rinj. Që fanella kuqezi është e preferuara e tregoi së fundmi një lëvizje e ndodhur me një nga lojtarët e moshave të Zvicrës, Nedim Bajrami, i cili konfirmohet edhe zyrtarisht nga federata helvetike e futbollit se ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë, të cilën e ka quajtur vetë zgjedhje zemre.

Bajrami, prurja e re për ekipin kuqezi

Futbollisti Nedim Bajrami zgjedh Shqipërinë duke i mbyllur papritur derën Zvicrës. Sipas asaj që raportohet në mediat zvicerane, helvetët kanë mbetur të befasuar nga vendimi i 22-vjeçarit për të mos luajtur më me 21-vjeçarët e Zvicrës, por për të pranuar ofertën e Shqipërisë për ekipin A. Sipas “Blick” trajneri i 21-vjeçarëve të Zvicrës, Lustrinelli publikoi listën e skuadrës Shpresa të Zvicrës, por Bajrami nuk ishte në listë dhe lojtari mësohet se është përshëndetur gjithashtu me shokët e tij të skuadrës te 21-vjeçarët helvetë. Futbollisti i Empolit në Serie B ka kaluar të gjitha ekipet e moshave te Zvicra dhe madje te 21-vjeçarët ka qenë titullar fiks dhe kandidat për të kaluar më pas në ekipin e parë, por në fund Bajrami ka dëgjuar thirrjen e zemrës dhe ka vendosur të luajë për Shqipërinë, dhe tanimë pritet dhe zyrtarizimi i ftesës së tij për tre ndeshjet e marsit kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos. Sipas mediave zvicerane një rol të madh në vendimin e Bajramit, që ka dhe pasaportën e Maqedonisë së Veriut, ka patur vëllai i Xherdan Shaqirit, Erdini dhe as bisedat me drejtorin e ekipeve kombëtare të Zvicrës, Pierluigji Tami nuk e kanë bindur Bajramin që të mos zgjedhë Shqipërinë. Një vendim ky që ka ardhur i papritur për zviceranët, me Bajramin që kishte kaluar me radhë mes gjithë ekipeve kombëtare të moshave te Zvicra.

Rasti Januzaj, simboli i “tradhtarit”

Adnan Januzaj është nga të paktët lojtarë me origjinë shqiptare që nuk ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë, edhe pse para 6 vjetësh atij iu bë gati një thirrje publike nga sportdashësit e shumtë kuqezi që ai të vishte fanellën e Shqipërisë. Djaloshi kishte spikatur tek Mançester Junajtid në atë kohë dhe shihej si lojtar me të ardhme, por Januzaj, i ndikuar dhe nga familjarët e tij, nuk pranoi, duke zgjedhur të luante për Belgjikën, vendin ku qëndronin prindërit e tij. U shkaktua bujë e madhe e nuk munguan ofendimet dhe shpërthimet në rrjetet sociale ku fansat e etiketonin mesfushorin e natyralizuar belg si tradhtar. Januzaj nuk preferoi të luante as për Kosovën, vendlindjen e prindërve të tij. Me pak fjalë, Adnan Januzaj refuzoi të luante për skuadrat shqiptare, duke marrë nofkën e “tradhtarit”. Të gjithë ata që kanë refuzuar të luajnë për ngjyrat kuqezi ose përfaqësuesen shqiptare të Kosovës, nuk janë pritur mirë nga opinioni. Përkundrazi, të gjithë ata të rinj që veshin me kënaqësi fanellën kuqezi kanë një lidhje të fortë me tifozët e Kombëtares.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here