Për herë të parë ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka folur dje mbi arsyet e largimit të tij nga LSI. Në prezantimin e listave Partia Socialiste e ka vendosur Naçon të tretin në qarkun e Beratit si kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë ditën e djeshme gjatë një interviste televizive ai ka folur rreth kësaj çështje dhe ka treguar pse e larguan nga LSI. Sipas Naços, atë e larguan nga partia lëvizjet e padrejta dhe planet hipokrite të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Naço tregoi se LSI ka bërë eksperimente me të gjithë kandidatët në zgjedhjet e 2017, ndërsa ka sqaruar se vetë atij i është kërkuar që të kandidojë në Durrës, duke humbur kështu elektoratin që ka në Berat dhe pa asnjë koment janë larguar të gjithë drejtuesit e qarkut në Berat. Duke qenë se ai nuk pranoi të ishte pjesë e kësaj loje e larguan. “Sigurisht që ka qenë e vështirë, por ka qenë në vazhdimësi eksperimentet politike të LSI-së, nga 2017 pas largimit të zotit Meta brenda LSI-së ka qenë një grup i vogël që merrte vendime në çdo rast duke ecur me fakt të kryer. Largimi im ka qenë një largim tinëzar i tyre, pasi kërkonin maksimumin që të kandidoja në Durrës dhe sërish në Berat dhe në një moment për të gjithë ish kandidatët dhe atë që kanë kontribuar në LSI në qarkun e Beratit u larguan pa u dhënë asnjë koment, duke na larguar neve drejtuesit dhe duke mbajtur në drejtuesit dhe duke kërkuar që të mbajnë elektoratin. Unë nuk jam paguar asnjëherë nga kryesia e LSI-së siç ka shumë të tjerë aty. Nuk kam qenë asnjëherë vasal i askujt. Kur të mos jem i mbështetur nga qytetarët do të largohem”, tha Naço. Ndërsa foli për bashkimin me PS, Naço tha se kanë për synim që në Berat të arrijnë 6 mandate nga 7 që ka në total ky qark. “Nuk kanë qenë vizionarë në drejtimin e LSI dhe thash që ka dështuar me sukses. Një pjesë e elektoratit rreth 80% më kanë kërkuar që të kandidoj me PS-në dhe ato të votonin për PS-në. Objektivi i PS për qarkun e Beratit minimumi 5 deputetë dhe maksimumi 6, nga 7 mandate që janë në Berat. Unë besoj se do të jetë qarku surprizë. Votohet për subjektin politik, pastaj do të votohet edhe për kandidatët”, u shpreh Naço.








































