“Bylbyli në pranverë” është koncerti vokal -pianistik, që erdhi me tre artistë të njohur. Pianisten Afërdita Bufaj, tenorin Kastriot Tusha dhe sopranon Ulpiana Aliaj. Më datën 1 mars 1939, është zhvilluar koncerti i parë vokal-pianistik, “Mbrëmja e këngës pleqërishte”, nga soprano Marie Kraja dhe pianistja Lola Gjoka. Pianistja Ardita Bufaj tregon se koncerti u rikthye pas 82-vitesh me të njëjtin repertor këngësh, ku bashkë më të ishin dhe sopranoja Ulpiana Aliaj dhe tenori Kastriot Tusha. Koncerti u shfaq më datë 1 mars ora 21:30 në RTSH, duke përcjellë një krijimtari të bukur muzikore. Pianistja Ardita Bufaj shprehet se ky aktivitet artistik i dedikohet dy personaliteteve të mëdha të skenës shqiptare, sopranos Marie Kraja dhe pianistes, një nga përpunueset dhe harmonizueset e para të këngës popullore shqiptare, Lola Gjoka. “Në datën 1 mars të vitit 1939, dy artistet realizuan “Mbrëmje e këngës pleqërishte”, ku në repertor interpretuan vetëm këngë popullore nga treva të ndryshme shqiptare. Mbas 82- viteve i rikthejmë një pjesë të repertorit në shenjë mirënjohje për kontributin, që dy artistet i lanë artit muzikor shqiptar”, shprehet ajo. Duke folur për këtë koncert kaq të veçantë, pianistja e njohur Ardita Bufaj tregon se ideja e realizimit i lindi duke shfletuar librin e jetës së Marie Krajës, dhe veçantia e posterit, por edhe e repertorit, pasi ky koncert ishte i pari në llojin e vet. “Mbas suksesit të këtij koncerti një muaj më vonë u organizua edhe një koncert me dy artiste të tjera të njohura, si Tefta Tashko dhe Jorgjie Truja. Në repertor artistet kishin vendosur 18 këngë popullore, por nga entuziazmi i madh i të gjithë artdashësve atë natë ato interpretuan 32 këngë. Madje, koncerti është përsëritur në datën 2 mars në kinema “Gloria””, shprehet pianistja. Në këtë mbrëmje të bukur, të mbështetur dhe të realizuar nga Radio Televizioni Shqiptar, pianistja Ardita Bufaj ndau skenën me dy artistë të njohur, pedagogët e Akademisë së Arteve sopranon Ulpiana Aliaj dhe tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha, ku ajo falenderon stafin e RTSH për mbështetjen, dhe profesionalizmin si në cilësinë e audios dhe imazhit televiziv, producentin muzikor Klodian Qafoku dhe regjisorin Ervin Kotorri.
Tradita muzikore
Pjesëmarrëse në këtë koncert sopranoja e njohur Ulpiana Aliaj thotë se të ruash dhe të duash muzikën tënde është një vlerë për artistët. “Ashtu si populli italian ruan gjininë e Canzzonetas, ashtu si populli gjerman ruan atë të Liederistikës, në kulturën tonë kombëtare kemi një traditë tepër të pasur muzikore, që në këtë rast me frymëzimin e të madhes soprano Marie Kraja e nën lojën interpretative të shkëlqyer të pianistes Lola Gjoka, mbërriti dhe tek ne”, thotë sopranoja. Por sopranoja Ulpiana Aliaj tregon se ka pasur fatin të njihet me këto perla, që në fëmijëri e të rritet me to dhe pse deri më sot kanë bërë pjesë në repertorin e saj gjatë fazës së studimeve e jo në atë koncertor. “Mamaja ime Zina Zdrava më ka nxitur gjithmonë për ti njohur e kuruar në detaj ato, pasi sigurisht që ajo i njeh tepër mirë e përveç kësaj ka pasur fatin të jetë shumë afër pianistes Lola Gjoka e të bashkëpunojë me të. Disa prej partiturave, të cilat u përdorën në këtë koncert ishin pikërisht të shkruara nga dora e saj. Kjo gjë ishte një përgjegjësi e shtuar për ne për të respektuar dhe përcjell sa më pastër dhe në origjinalitet këtë muzikë”, tregon sopranoja. Origjinaliteti dhe historia që mbartnin kostumet e veshura prej artistëve, përcillnin më së miri emocionin e kohës, por dhe shijen e gjithçkaje që e rrethonte atë atmosferë. Repertori i kësaj mbrëmje muzikore mbante titujt më të njohur si:”Eja vashë” e kompozuar nga Lola Gjoka, vijoi me ” Çik mor Çik” ,”Tash sa ditë e mot”, “Unë ty moj të kam dashtë” , “Karajfilat që ka Shkodra”, etj. Një nga veçantitë për sa i përket detajeve artistike, ( një nga kriteret e posterit të vitit 1939), por edhe estetike ishte prezantimi i artistëve me veshje origjinale popullore.








































