Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka deklaruar dje se organet e sistemit të drejtësisë kanë nevojë për ndryshime drastike. Gjatë një interviste televizive ai tha se, pavarësisht se në këto tre ditët e fundit organet e drejtësisë janë përpjekur të bëjnë siç duhet punën e tyre ka ende vend për përmirësime dhe janë evidentuar problematikat. Sipas tij, kryesorja është që organeve t’u jepet për detyrë puna që u takon mbi aq kompetenca sa ato kanë. Ibrahimi sugjeroi që, SPAK të fokusohet më së shumti tek hetimet që do të bëhen ndaj funksionarëve të lartë të shtetit. Sipas tij, këto vite që SPAK ka qenë në funksion i janë lënë si detyrë punë me përgjegjësi të vogla që mund të kryheshin nga institucione të tjera. Ibrahimi tha se sistemi i drejtësisë ka nevojë të rishikojë pozitat e disa organeve dhe kjo duhet bërë sa më shpejt. “Ndryshimet ligjore janë propozuar në disa drejtësi, ku njëri ka të bëjë me portofolin e çështjeve që trajtohen nga SPAK. Ky ka qenë një problem i perceptuar nga të gjithë që merrej me çështje të vogla. Kjo është një forcë elitë e përgatitur dhe e ngritur me shumë kujdes. Prandaj u perceptua keq që të merret me çështje të vogla, prandaj ka një propozim për t’u marrë me çështje që janë mbi 5 milionë lekë. Unë për vete do të isha më drastik që SPAK të merrej me çështje ku janë përfshirë funksionarët e lartë të shtetit. Ndryshimet janë të nevojshme në disa rrafshe. Ne si këshill kemi përgatitur një material paraprak për nevojën e ndryshimeve në reformën në drejtësi. Unë mendoj se ka ende vend për disa rishikime, por tashmë është tepër vonë sepse nuk ka më tepër kohë”, u shpreh ai. Nga ana tjetër Ibrahimi kërkon që të zgjaten afatet për funksionimin e procesit të vetingut. Sipas tij, vetingu është organi që ka si funksion ndëshkimin, prandaj funksioni i tyre duhet shtyrë, pasi procesin e vetingut nuk mund ta bëjnë këshillat gjyqësorë dhe të prokurorisë, madje asnjë organ tjetër nuk mund ta marrë përsipër këtë funksion. “Organet e vetingut janë ndërtuar si organe që do të kishin një qasje ndëshkimore, ndërsa këshillat janë për të mbrojtur interesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prandaj mendoj se në këtë rast duhet të zgjaten afat e organeve të vetingut. Kapaciteti njerëzor mund të zgjidhet, por mbetet problemi mentalitetit, sepse organet e vetingut marrin vendim me 3 veta sikurse e kemi parë, ndërsa këshillat me 11 veta. Këshilli merret vetëm me karrierat prokurorëve”, tha Ibrahimi.









































