Kategoria Superiore po bëhet gjithnjë e më enigmatike në këto duele të fazës së tretë të saj, ku nuk mungojnë emocionet dhe surprizat në lojë e rezultate. Pas ngecjes së rivalëve për titull, si Partizani, Teuta dhe Laçi, dje pasdite Vllaznia kishte shansin të bënte një hap përpara drejt titullit, një fitore që do ta shkëpuste sërish atë në krye të renditjes, por nuk ndodhi kështu, pasi shkodranët barazuan me Kukësin pa gola, pra 0-0, duke mos përfituar nga ndalesa e të tjerëve dhe duke mbetur sërish e kërcënuar që të parakalohet nga rivalët. Gjithsesi, me 42 pikë në 23 ndeshje të luajtura, Vllaznia mban vendin e parë të renditjes me një pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Teuta dhe Laçi, duke qenë me shanse të mira për të pretenduar titullin këtë edicion.
Pjesa e parë, triumfojnë portierët
Loja në fillim pati pak ritëm dhe u duk se do të ishte një përplasje pa shkëlqim, por me kalimin e minutave erdhën emocionet e duhura. Kështu, pas një nisjeje të qetë të lojës, Vllaznia jep shkëndijën e parë, teksa zbriti shpejt me shumë pasime dhe Da Silva shërbeu për Njia Vedji, i cili i vetëm me Xhikën gjuajti menjëherë, por topi u përplas në trupin e portierit të verilindorëve. Në minutën e 20-ë, Ardit Hoxhaj kishte një mundësi të artë shënimi, pasi mori një krosim perfekt nga Kalaja, por gjuajtja e tij me kokë ishte qendrore dhe topi u prit sërish nga portieri Xhika, i cili tregoi edhe një herë reflekse mjaft të mira. Vijojnë momentet e mira për Vllazninë, që zbret sërish rrezikshëm dhe këtë herë është Jonuzi që provon me një goditje nga distanca, por topi i gjuajtur prej tij përfundoi jashtë kuadratit të portës. Eni Imami gabon krejtësisht në kthimin e një topi mbrapa dhe i jep mundësi Agim Ibraimit të niset i vetëm drejt portës, por gjuajtja e kapitenit të Kukësit u prit në mënyrë fantastike nga ana e portierit Bojan Zogoviç, që ruajti të paprekur rrjetën e tij. Reagon menjëherë Vllaznia, që kërcënon sërish portën e Xhikës, këtë herë me anë të malazezit Kalezic, që kërceu mbi të gjithë gjatë një këndoreje, por topi i gjuajtur prej tij, kaloi ngjitur me shtyllën. Xhika bën sërish heroin, këtë herë në minutën e parë shtesë, kur ndal një tjetër gjuajtje të rrezikshme të Arlind Kalasë. Pas një topi të mbetur në zonë, Kruja shërbeu bukur për sulmuesin Kalaja, i cili i vetëm me Xhikën mori keq topin dhe më pas gjuajti akoma më keq, duke ia përplasur topin në trup gardianit të verilindorëve, çka bëri që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola.
Pjesa e dytë nis mirë për Kukësin, përfundon me Vllazninë në sulm
Fraksioni i dytë i lojës nisi më mirë për Kukësin, që pas një aksioni të gjatë, kërcënoi me anë të Agim Ibraimit, por gjuajtja e tij u grushtua nga portieri Zogoviç. Vllaznia përforcon sulmin me tre zëvendësime dhe shfaqet menjëherë agresive, ndërsa në minutën e 70-të sulmuesi Cise fitoi një penallti, pas një faulli në zonë të Lulajt. Nga pika e 11-metërshit shkoi fantazisti Demir Imeri, por Xhika bëri sërish heroin dhe grushtoi sferën, duke mbajtur portën të paprekur. Reagon menjëherë Kukësi, që pas një aksioni të gjatë, i shkon pranë golit me sulmuesin kryesor Patrik Eze, por gjuajtja e tij përfundoi pak mbi portën e malazezit të portës shkodrane, Zogoviç. Vetëm dy minuta më vonë ishte malazezi Kaleziç, që kishte në këmbë një top goli pas një krosimi të Gurishtës nga krahu, por goditja e tij ishte e gabuar dhe topi shkoi mbi kuadrat, pa sjellë kërcënim për Xhikën. Shkodranët vijojnë të shtojnë presionin dhe kanë një tjetër mundësi të artë për të shënuar me Demir Imerin që u shërbye saktë në zonë nga Dilaver, por ndonëse i vetëm me Xhikën, fantazisti shpërdoroi duke gjuajtur jashtë. Vërshëllima finale e arbitrit Kridens Meta la në fuqi barazimin 0-0 dhe dy skuadrat detyrohen të kënaqen me nga një pikë. Vllaznia çon në 4 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore, megjithatë mbetet në krye të renditjes me 42 pikë, një më tepër se Teuta e Laçi që e ndjekin.









































