Google search engine
Home Sport Kombëtarja 3 ndeshje në 1 javë, Reja synon të paktën 7 pikë...

Kombëtarja 3 ndeshje në 1 javë, Reja synon të paktën 7 pikë në startin e eliminatoreve të Botërorit

0
261

Në fund të marsit përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll do të luajë tri ndeshjet e para në grupin I eliminator të Botërorit “Katar-2022”. Do të jenë tri takime që do të kenë peshë themelore për fatet e objektivave që kanë skuadrat pjesëmarrëse që synojnë vendin e parë në grup, pozicion që siguron pjesëmarrjen automatikisht në finalet e Kupës së Botës që për herë të parë në historinë e saj luhet në një vend arab, i cili gjatë dekadës së fundit ka bërë investime marramendëse në impiante dhe në infrastrukturën futbollistike. Në kuadër të eliminatoreve të grupit I, ku bën pjesë Shqipëria, së bashku me skuadrat përfaqësuese të Anglisë, San Marinos, Polonisë, Andorrës dhe Hungarisë, ndeshjet kualifikuese do të startojnë në fund të marsit, konkretisht më 25 mars dhe brenda këtij muaji do të ketë tri xhiro ndeshjesh, pra secila skuadër do të bëjë tre takime. Do të jetë një kalendar i ngjeshur, pasi tri ndeshje do të luhen në harkun kohor të një jave, domethënë i bie një ndeshje në më pak se 3 ditë. Kështu, Shqipëria do të luajë më 25 mars në orën 20:45 në transfertë ndaj përfaqësueses së Andorrës, kurse më 28 mars, ora 18:00 do të presë në “Air Albania” të Tiranës skuadrën kombëtare të “Tre Luanëve”, pra përfaqësuesen e Anglisë. Më 31 mars do të jetë edhe ndeshja e fundit për këtë fazë, ajo ndaj San Marinos që do të zhvillohet në orën 20:45 në transfertë. Janë tri ndeshje që do të kenë efekt përcaktues për objektivat e skuadrës kuqezi. Një start i mbarë dhe me pikë të plota mund të jetë vendimtar për fatet e sezonit, pse jo dhe për ta fituar ekipin tonë në rrugën e pretendimit për një kualifikim të mundshëm në fazën finale të Kupës së Botës. Në të kundërt, nëse skuadra nuk merr maksimumin ndaj skuadrave si Andorra e San Marino, atëherë është e kotë të pretendohet për ndonjë objektiv të realizuar. Këtë gjë e di më mirë se kushdo tjetër trajneri Edi Reja, i cili pritet të shpallë listën e lojtarëve që do të grumbullohen për këto ndeshje në fund të javës, ose rreth datës 20 mars. Surpriza edhe mund të ketë në listë, por në tërësi dihet ë Reja fton në skuadër bërthamën e grupit dhe ata që kanë minutazh të plotë në këmbët e tyre.

Berisha, titullari i vetëm i konfirmuar deri tani

Portieri Etrit Berisha do të jetë me shumë gjasë titullar i padiskutuar në portën e Kombëtares për ndeshjet e radhës së përfaqësueses, si një prej lojtarëve më në formë dhe për më tepër në mungesë të alternativave më të mira. Shkaku i angazhimit të pritshëm të Berishës lidhet me faktin e rivali i tij i madh për katërkëndorin e portës kuqezi, Thomas Strakosha, po vuan pasojat e një dëmtimi për të cilin ka bërë ndërhyrje dhe nuk pritet të rikuperohet në kohë për këto ndeshje. Madje ditë më parë Lacio kujtoi se lojtari është i dëmtuar e do të mungonte disa javë. Rivalët e tjerë janë Alban Hoxha i Partizanit si dhe Gentian Selmani që ka qenë më parë i Laçit por luan prej dy vitesh në Turqi dhe ka formë të mirë. Por asnjëri nuk duket se rivalizon në këtë moment me Berishën, i cili është titullar me Spalin në Serie B dhe konsiderohet si një nga shtyllat e ekipit atje, por edhe në përfaqësuese ka rol thelbësor. Madje në kualifikimin e Shqipërisë në Euro-2016, gati 5 vjet më parë, Berisha pati rol të veçantë, sepse ishte një nga pikat e forta të grupit. Fatmirësisht, në kampionatin elitar italian luajnë bërthama e skuadrës përfaqësuese, ku përveç Berishës është edhe Hysaj, Kumbulla, Gjimshiti, Dermaku, Ismajli, Veseli, Memushaj e shumë të tjerë që janë cilësorë dhe shpresohet të bëjnë diferencën ndaj rivalëve në grupin I eliminator. Synimet e skuadrës kombëtare nën drejtimin e Rejës janë të sigurojnë dy fitore me rivalët modestë të grupit, respektivisht Andorrën dhe San Marinon, si dhe t’i marrin pikë favorites së grupit, Anglisë, e cila është një prej skuadrave më të forta në botë dhe konsiderohet edhe si pretendentja kryesore e grupit tonë për të zënë vendin e parë. përveç anglezëve, në grup janë dhe polakët dhe hungarezët që kanë gjithashtu skuadra shumë të forta e me pretendime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here