Ish-deputetja Jorida Tabaku ditën e djeshme në një intervistë televizive foli për fushatën e 25 prillit, emrat e rinj të përfshira në lista si edhe programin e Partisë Demokratike. Tabaku tha se çdo përdorim emri nuk e ndryshon fatin e kryeministrit Edi Rama. Ajo theksoi se Partia Demokratike do të marrë në Tiranë 20 mandate dhe në listat e PD do të ketë emra real e vendimmarrës jo fasadë. “Pasi dështoi me pandeminë dhe tërmetin mendon se me pak kozmetikë mund të kalojë situatë. Nuk ka asgjë që e shpëton Ramën. Çdo emër që të ketë mbrapa janë thjesht mbrojë. Është po Rama ai që do të drejtojë fushatën e PS, situata e 8 viteve të fundit ku janë përdorur shumë emra, nuk kanë qenë zë i fuqishëm në vendimmarrje. Asnjë përdorim emrash nuk e eviton këtë fakt. PD është forca që nesër do të qeverisë. Nëse tërhoqi PS dy emra, Lista e PD do të jetë një kombinimin i ekspertëve më të mirë, askush nuk do të jetë emër fasadë, por real dhe vendimmarrës. PD do të marrë në Tiranë 20 mandate. Pas 8 vitesh të thotë kryeministri s’kam program, është e turpshme. Kemi qenë shumë të kujdesshëm për të premtuar dhe angazhuar në gjëra që realisht do të bëhen”, tha Tabaku. Ish-deputetja u shpreh se Shqipëria nuk ka përparuar në asnjë drejtim si ekonomia, arsimi apo infrastruktura sepse ka ngelur në vendnumëro me Ramën. Tabaku tha se Rama ka menduar 8 vjet qeverisje vetëm për veten dhe i ka gënjyer shqiptarët. Ajo tha se Rama i ka tradhtuar shqiptarët por PD është angazhuar duke punuar për një plan serioz pa gënjeshtra dhe mashtrime. Sipas saj Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të zgjedhë të ardhmen me Bashën dhe PD në krye. “Shqipëria ka mbetur në vend numëro me Edi Ramën. Shqipëria nuk ka përparuar në asnjë drejtim: as në ekonomi, as në arsim, as në infrastrukturë. Një njeri që për 8 vjet ka menduar vetëm për 5 njerëz dhe ka lënë shumicën dërrmuese të shqiptarëve në gënjeshtër. I ka tradhtuar shqiptarët me qëllim. I gënjen përditë dhe i mbush me mashtrime. Prandaj PD është angazhuar dhe ka punuar për një plan serioz në çdo fushë të jetës. Ne e dimë se ku dhëmb më shumë, pasi kemi dëgjuar grupet e interesit dhe qytetarët. Lulzim Basha ka punuar me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për një plan serioz dhe konkret. Jo më gënjeshtra, jo më mashtrime por angazhime të prekshme dhe të matshme. Në 25 prill Rama humbet pasi nuk ka as ide dhe as vizion. Shqipëria zgjedh të ardhmen dhe angazhimin me Lulzim Bashën dhe PD”, u shpreh ish-deputetja.