Presidenca kthehet në prokurori: Do analizojmë figurat që përfshihen në zgjedhje, nuk do lejojmë blerje votash, të gjithë do ndëshkohen

0
241

Presidenti Ilir Meta duket i vendosur për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit. Edhe pse nuk do të garojë përballë partive të tjera, presidenti duket se ka marrë rolin e prokurorit për të garantuar një proces zgjedhor demokratik. Në një konferencë për mediat ai u shpreh se do të informojë opinionin publik në ditët në vijim për të gjitha ato figura të cilat janë të përfshira në krime zgjedhore për të treguar se asnjë nuk do të tolerohet nëse prek votën. Meta tha se do bëhet gjithçka për të patur tërësisht zgjedhje demokratike dhe të ndershme edhe në kushtet kur ka tension.“Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë tërësisht transparent, tërësisht me integritet, vota e çdo qytetari të jetë e barabartë, askush të mos intimidohet. Do të informojmë edhe më tej opinionin publik për të gjitha figurat që përfshihen te krimi zgjedhor, sepse janë shumë figura, në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë se nuk do të ketë asnjë tolerim për cilindo që përfshihet në një veprimtari të tillë. Do të bëjmë çdo gjë për të pasur zgjedhje tërësisht demokratike dhe të ndershme, por e kuptojmë se jemi në kushtet kur ka një tension që është krijuar në mënyrë artificiale dhe pasi kemi pasur ndryshime të njëanshme, gjë që s’ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë”, tha ai.

Meta thirrje qytetarëve

Presidenti deklaroi se do të ndëshkohet cilido që përpiqet ta largojë Shqipërinë nga Europa e Bashkuar. Ai iu bëri thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga mediat, nga sondazhet e oligarkëve dhe propagandat teksa theksoi se zgjedhjet e ndershme janë kusht kryesor për demokracinë. “Megjithatë pavarësisht nga këto, do të bëjmë çdo gjë që zgjedhjet të jenë plotësisht të ndershme dhe shpresoj që të gjithë të reflektojnë! Por njëkohësisht padyshim që do të bëjmë çdo gjë për të ndëshkuar në mënyrën më të merituar cilindo që do të përpiqet jo thjesht të prekë një votë, por që do të përpiqet ta largojë Shqipërinë nga Europa e Bashkuar. Ua kam thënë edhe më përpara dhe po e theksoj përsëri se zgjedhjet janë krye kusht dhe mos besoni asnjë lloj propagande të gënjeshtër. Të gjithë qytetarët, në mënyrën më të qetë, më civile, më europiane, të mos ndikohen nga asnjë lloj presioni, të mos ndikohen as nga situata e vështirë në të cilën ndodhen mediat, që është e pasqyruar edhe në raportin e fundit të Parlamentit Evropian, edhe në të gjitha dokumentet ndërkombëtare, as nga sondazhet e oligarkisë për të krijuar idenë e mos ndryshimit dhe të përjetësisë të kësaj lloj kënete”, tha presidenti. Meta u shpreh se nuk duhet paragjykuar rezultati i zgjedhjeve, pasi vota do të jetë në duart e qytetarëve dhe vetëm ata mund të vendosin. Ai tha se vota e çdo qytetari duhet të jetë e barabartë dhe të shprehet e lirë. Sipas tij nuk do të tolerohet asnjë figurë që përbën krim zgjedhor. “Të mos paragjykojmë rezultatet e zgjedhjeve! Mund të ketë çdo lloj surprize, nuk duhet t’i ndalojmë surprizat! Duhet t’ua lemë në dorë qytetarëve dhe qytetareve të Shqipërisë! Tani ka vetëm një gjë rëndësi: Vota e çdo qytetari të jetë e barabartë! Të shprehet e lirë, larg çdo lloj intimidim dhe të informohen të gjithë për të gjitha figurat që përbëjnë krim zgjedhor, që u tha qartë edhe dje nga Parlamenti Europian se nuk do të tolerohet”, u shpreh presidenti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here