Ish-kryeministri i Italisë Matteo Renzi është kërcënuar nga persona të panjohur. Raportohet se kreut të Italia Viva-s i është dërguar një zarf me dy plumba.
Rasti është dënuar nga politikanë të ndryshëm në Itali, duke përfshirë edhe kreun e Lëvizjes 5 Yje.
“Solidaritet me senatorin Matteo Renzi, çdo formë frikësimi është për tu dënuar”- shkruan Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio.
“Është koha tu thuhet mjaft politikave të urrejtjes dhe dhunës”, tha Tereza Bellanova, deputetja dhe anëtarja e Italia Viva. “Matteo ne jemi krah teje, me forcë dhe krenari, ne nuk do të intimidohemi”, shkruan ajo në rrjetet sociale.
Renzi mori një telefonatë nga Presidentja e Senatit Elisabetta Casellati, e cila shprehu solidaritetin e saj. Matteo Renzi iu përgjigj mesazheve solidarizuese me fjalët: “Faleminderit të gjithëve. Le të ecim përpara së bashku me liri dhe guxim”.
Sjellim në vëmendje që Renzi shërbeu si kryeministër i Italisë nga vitet 2014 deri në vitin 2016, dhe vijon të jetë drejtues i “Italia Viva”, një segment që u shkëput nga Partia Demokratike e qendrës së majtë.
Në janar, vendimi i partisë së tij për të lënë qeverinë e koalicionit të vendit detyroi dorëheqjen e ish-kryeministrit Giuseppe Conte, dhe rrezikoi ta dërgonte Italinë në një krizë politike.
Një qeveri e re u formua nga ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme gjatë pandemisë COVID-19. Sidoqoftë, popullariteti i Renzi-t në Itali ka pësuar rënie sipas sondazheve të fundit.


































