Google search engine
Home Sport Reja tek Napoli është opsion, por Duka ia pret “rrugën” trajnerit të...

Reja tek Napoli është opsion, por Duka ia pret “rrugën” trajnerit të Kombëtares

0
243

Në fund të marsit Shqipëria do të luajë ndeshjet e para kualifikuese në kuadër të Botërorit “Katar-2022”. Por vëmendja kryesore është tek përballja me Anglinë, e cila është planifikuar të luhet në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë. Kjo do të jetë një ndeshje gati përcaktuese për ecurinë e skuadrës tonë në këto eliminatore, pasi Anglia është jo vetëm skuadra favorite e grupit, por njëherësh një prej ekipeve kombëtare më të forta në botë. Përfaqësuesja e “Tre Luanëve” do të vijë në kryeqytetin shqiptar me një kontigjent lojtarësh të nivelit më të lartë dhe me ambicie për fitore, gjë që duhet marrë seriozisht nga ekipi ynë kuqezi. Trajneri Edi Reja ka nisur të mbajë shënime për lojtarët e tij dhe shpreson të ketë një formacion të plotë dhe në formë sportive në atë moment, por ka studiuar dhe lojën e kundërshtarëve, duke ndjekur ecurinë e lojtarëve kundërshtarë. Në këtë kulm mendimesh për rivalët në eliminatoret e Botërorit, vjen një lajm surprizues nga Italia. Napoli është pranë shkarkimit të trajnerit Rino Gatuzo dhe në vend të tij është planifikuar një tjetër dhe mediat italiane aludojnë për teknikun veteran që drejton përfaqësuesen e Shqipërisë, Edi Rejën, trajner që e ka drejtuar më parë Napolin dhe e ka ngjitur nga Serie B në Serinë A. Një lajm i tillë ka vënë në alarm Federatën Shqiptare të Futbollit, përderisa për këtë rast ka folur vetë kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ia ka prerë “rrugën” drejt Napolit Rejës, duke thënë dhe kujtuar se trajneri veteran është në kontratë me Shqipërinë dhe nuk mund të lëvizë në këtë periudhë. Madje në mënyrë ironike Duka është shprehur se për Rejën mund të ketë dilemë vetëm nëse e kërkojnë në Premier League angleze.

Qëndrimi/ Duka: Reja është në kontratë me ne, s’mund të lëvizë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ka folur së fundmi për “Radio Kiss Kiss”, teksa ka folur rreth mundësisë së shumëpërfolur që Edi Reja të vazhdonte drejtimin e kombëtares, por edhe të vihej në krye të Napolit në rast shkarkimi të Gatuzos. Duka e ka mohuar këtë alternativë, ndërsa sa i përket Europianit, shprehet se ekziston mundësia që të zhvillohet vetëm në Angli dhe jo në vende të ndryshme. “I kam dëgjuar këto zërat për Rejën te Napoli, por unë nuk di asgjë. Napoli nuk më ka kontaktuar asnjëherë dhe Reja nuk më ka folur për mundësinë e të bërit dy punë. Por e theksoj tani se është një alternativë për t’u përjashtuar. I kam dërguar mesazh urimi Gravinës për fitoren në zgjedhjet për President të Federatës Italiane të Futbollit. Bilanci financiar i klubeve europiane po shkon keq, ka më pak sponsor dhe më pak publicitet. Bilanci sportiv nuk është i keq, po shkon mirë, lojtarët po luajnë dhe nga pikëpamja sportive nuk kanë humbur shumë. Spektatorët? Nuk varet nga UEFA, por nga autoritetet shëndetësore të çdo shteti. Në Angli kanë vendosur t’i lejojnë, shpresojmë që edhe në pjesën tjetër të Europës të bëhet kjo gjë. Shpresat janë që Europiani të bëhet me impiantet 50% të mbushura. Që Europiani të luhet vetëm në Angli është një mundësi. Ka ende edhe katër-pesë muaj të mbetur, të shohim nëse situata do të ndryshojë, përndryshe Anglia mbetet një mundësi”, u shpreh Duka.

Skema 3-5-2, “dashuri” e Rejës në Kombëtare

Edhe pse trajneri Edi Reja ka eksperiencë të mjaftueshme për të studiuar lojtarët më në formë dhe për t’i përshtatur në fushën e lojës, ai duket se preferon skemën 3-5-2 në lojën e Kombëtares, nisur dhe nga fakti se këtë skemë e zbatojnë më mirë në fushë lojtarët e përfaqësueses kuqezi. Në fakt, në ndeshjet e Ligës së Kombeve Reja aplikoi dendur edhe skemën 4-4-2, sipas nevojave dhe në varësi të elementëve që kishte në dispozicion, por skema taktike me rreshtimin 3-5-2 i jep atij përparësi në fazën mbrojtëse, por edhe atë sulmuese, pasi dominon repartin e mesit të fushës. Mbetet të shihet se çfarë skeme do të përdorë ai në këto eliminatore, por kjo ka gjasa të jetë e varur nga emrat ë do të grumbullohen për duelet në kuadër të “Katar-2022”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here