Thellohet lufta e familjes presidenciale me ndërkombëtarët. Dekorimi i Ardian Dvoranit si kampion i luftës antikorrupsion ka rënë si bombë në Presidencë, pasi pas presidentit Ilir Meta, në sulm është hedhur edhe bashkëshortja e tij. E ftuar në “Syri TV”, ajo fillimisht tentoi të hiqej sikur nuk e njihte gjyqtarin, ndërsa më pas sulmoi amerikanët. “Zotëria do ketë mundësi të shërbejë në sistemin e drejtësisë të SHBA. Amerikanët e dekoruan dhe Noriegën dhe e futën në burg pastaj. E dekoruan për paqen dhe e futën në burg. Marrëdhënia jonë me SHBA nuk është personale. E di sa veta marrin certifikata? Mafia ndërkombëtare janë ata që shfrytëzojnë pasurinë e popullit shqiptar. Ambasadorët janë kalimtarë. Le të guxoja t’ia kërkojë Edi Ram një gjë e Yuri Kim nuk e bën dhe ta shofsh çdo bëjë Rama”, tha ajo. Emanuel Noriega ka qenë diktatori i Panamasë për shumë vite. Kryemadhi shtoi më tej dozën e sulmeve dhe akuzave ndaj ndërkombëtarëve. Sipas saj, ambasadorët po ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit, ndërkohë që sulmoi sistemin e drejtësisë. Por kjo deklaratë duket se vulosi dhe ndarjen e saj me PD dhe Lulzim Bashën. Kreu demokrat nuk ka folur fare për Dvoranin, ndërkohë që dje u rreshtua krah SHBA në luftën ndaj korrupsionit. Po ashtu, Basha nuk e sulmon reformën në drejtësi, ndryshe nga sa ndodh me LSI, Berishën apo Metën. “Kemi një drejtësi të kapur nga diplomat të korruptuar. Vijnë diplomatë dhe lënë me barrë vajzat shqiptare dhe largohen… Pas 25 prillit ambasadorët nga shërbëtorë të devotshëm të Ramës do të bëhen të opozitës. Se lëvizin ata e shkojnë pas qeverisë. Problemi është sa shfrytëzues do jemi ne të përdorim ambasadorët që dil më mbro mua se unë do vjedh naftëtarët në Fier, se unë do i dërgoj letër sekretarit. Ne kemi bërë një reformë me 140 vota dhe sot u ofrohet shqiptarëve një sistem që nuk ofron asgjë. Përkundrazi teksa shqiptarët rrinin me dekada për punë pronësie në radhë, sot rrinë me dekada për çështje trashëgimie”, tha Kryemadhi.
Zgjedhjet e 25 prillit
Kryemadhi u ndal dhe te zgjedhjet. Edhe pse nuk dha një argument se përse u vendos se PD dhe LSI të dilnin ndarazi, ajo sulmoi qeverinë. “Ajo që unë shikoj, është pakënaqësia e jashtëzakonshme që ka në popull lidhur mbi këtë qeveri. Këtë e shikoj në takimet e mia që fillojnë që në orën 7.00 të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes. Vetë situata e pandemisë e bën të pamundur kontaktin për orare të gjata dhe vetëkufizimi dhe reprezalja që Policia e Shtetit ushtron ndaj qytetarëve, por ajo që akoma është e rëndësishme është ajo që njerëzit ndjekin dhe reflektojnë. Ajo që është e rëndësishme ku është e fokusuar fushata e PS në terror të administratës publike dhe në një kapje, joshjen të medias për tu marrë me sondazhe. Ajo dhunë ndaj opinionit publik për të treguar numrat tregon frikën. Ku Edi Ramën e nxjerrin në limitet e ekzistencës në të gjithë pritshmëritë që ai ka si kryeministër dhe si individ”, deklaroi dje kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo që vihet re është se ka një ndarje shumë të madhe mes LSI dhe PD. Basha nuk e sulmon kurrë reformën në drejtësi dhe ambasadorët, por ndodh e kundërta me bashkëshorten e presidentit Ilir Meta.









































