Google search engine
Home Sport Më në fund elozhe për Rei Manajn, Cikalleshi në 11-shen e javës...

Më në fund elozhe për Rei Manajn, Cikalleshi në 11-shen e javës në Turqi

0
264

Lojtarët e Kombëtares kuqezi patën një fundjavë mjaft cilësore duke qenë në lartësinë e kërkuar në lojë dhe me gola e asiste që morën vëmendje të konsiderueshme në median sportive. Në Turqi Sokol Cikalleshi u rikthye me gol dhe prepotencë në fushën e lojës, duke konfirmuar formën e tij në rritje, një dëshmi që do ta fitojë menjëherë rolin e titullarit në Kombëtare nëse e ruan këtë performancë deri në momentin e zhvillimit të ndeshjeve eliminatore të Botërorit në muajin mars. Jo vetëm ai, pasi edhe Armando Broja shkëlqeu në Holandë me Viteshen, pasi shënoi gol dhe konfirmoi se po rritet. Rei Manaj në Spanjë po çlirohet nga ngërçi i mëparshëm dhe po shënon, kurse Myrto Uzuni po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një futbollist me progres të madh dhe që tani do me patjetër rol titullari në formacionin kuqezi. Trajneri Edi Reja duket i entuziazmuar nga ecuria e lojtarëve gjatë javëve të fundit dhe nuk i ka kursyer elozhet për shumicën prej tyre, duke thënë se edhe sulmuesit, të cilët ishin në hije deri tani, po e zgjidhin mirë situatën dhe mund të shërbejnë si duhet në radhët e skuadrës kombëtare. Por vëmendjen më të madhe në këtë fazë e morën dy lojtarë, Sokol Cikalleshi, i cili u vlerësua me notën më të lartë për fundjavën që lamë pas në ligën turke, si dhe Rei Manaj, për të cilin tani ka një qasje tjetër nga drejtuesit e klubit të Barcelonës B. Një ecuri që është vlerësuar pozitivisht për të dy “bomberat” kuqezi.

Manaj, elozhe të merituara nga Barcelona B

Pak kohë më parë ai ishte vënë në shënjestër të shtypit sportiv spanjoll, si një lojtar “dështak”, nisur nga rastet e pafundme që humbiste para portës dhe faktit që po e shihte veten jashtë skemave taktike të trajnerit, por ditët e fundit ai po kalohet në media si një prej futbollistëve më cilësorë të skuadrës B të Barcelonës dhe po bën gjëra të mira. Bëhet fjalë për sulmuesin e Kombëtares tonë, Rei Manaj, i cili ka shënuar katër gola në dy ndeshjet e fundit me Barcelonën B, teksa së fundmi, sulmuesi i kombëtares ka fituar edhe komplimentet e trajnerit Garsia Pimienta. Ky i fundit ka theksuar se Manaj është në një nivel të lartë dhe se nuk është e lehtë për t’u përshtatur në klubin katalanas. “Kur një lojtar vjen këtu, i kushton pak sa të adaptohet në një klub si i joni. Është e sigurt se në sezonin e kaluar ka pasur një sjellje të mirë, por nuk ishte i mësuar me lojën dhe sidomos me golat. Fola me të sepse duhej të jepte shumë më shumë, edhe për shkak të eksperiencës së tij. Ai e di që ka një mundësi të madhe këtu dhe mendoj se po e shfrytëzon. Jam shumë i lumtur sepse është në një nivel shumë të lartë”, u shpreh trajneri Pimienta.

Cikalleshi me notën më të lartë në 11-shen e javës në Turqi

Mosha e tij nuk është shumë premtuese, por shtatlarti i sulmit kuqezi po kalon një formë fantastike që mund të ketë ndikim për mirë edhe në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares tonë në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror Katar-2022. “Ishte fundjava e Sokol Cikalleshit kjo që lamë pas në Turqi”, shkruajnë thuajse njëzëri mediat kryesore sportive. Sulmuesi i kombëtares, realizoi dy gola për Koniasporin në përmbysjen e madhe ndaj Jeni Malatiaspor, 2-3. Kavajasi shënoi në minutat 80 dhe 84 duke bërë që të shpërthente festa tek të tijtë. Sigurisht, këto realizime morën vëmendje të madhe dhe Cikalleshi është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në elitën turke. Por, kjo nuk është arritja e vetme, pasi në këtë formacion, shqiptari është edhe futbollisti i vlerësuar me notën më të lartë, 8.6. Ndërkohë, ky ishte goli i tretë në këtë sezon për Cikalleshin, teksa pas kësaj fitoreje Koniaspor renditet në vendin e 12 me 30 pikë. Sakaq, duke qenë se ndeshjet e kombëtares janë përpara, shpresohet që 30-vjeçari ta ruajë këtë formë edhe për trajnerin Edi Reja. Mbetet të shihet se kë ka planifikuar Reja për në listën e të grumbulluarve në muajin mars, por ecuria e fundit e Manajt dhe Cikalleshit, por edhe e Uzunit dhe Brojës, vështirë se do t’i lerë jashtë bomberat e Kombëtares.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here