Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj prezantoi ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore risitë e projektligjit “Për Regjistrimin e OJF-ve”. Ministrja deklaroi gjatë fjalës së saj se, është shumë i rëndësishëm miratimi i këtij ligji, që duhet shqyrtuar në detaje më parë, sepse është një nismë e kërkuar jo vetëm nga nevoja për rregullim të problematikave aktuale, por edhe si nismë ligjore që vjen nga rëndësia e përmbushjes së rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Moneyval. “Kjo nismë vjen edhe nga rëndësia e përmbushjes së Rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve të Moneyval lidhur me këtë fushë. Në një raport të tyre cilësohet ndër të tjera se nuk ka asnjë dokument mbi praktikat më të mira që të jetë hartuar nga Shqipëria me përfshirjen e OJF-ve, si dhe nuk janë ndërmarrë hapa për promovimin, mbikëqyrjen e riskut ose monitorimin e OJF-ve, duke rekomanduar krijimin e regjistrit elektronik dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve”, u shpreh ajo. Gjonaj bëri një përmbledhje të ndërhyrjeve në ligj për të rregulluar kuadrin ligjor dhe risitë që ky akt sjell në legjislacionin shqiptar. Ministrja tregoi se, ligji ekzistues për regjistrimin e OJF-ve ka një sistem regjistrimi në mënyrë manuale të OJF-ve, që shpesh ka shkaktuar probleme. Kjo, pasi sjell statistika jo të plota, sepse ka një moskoordinim ndërmjet institucione të tjera që kanë detyrimin e raportimeve mbi këto organizata. Sipas saj, për këtë arsye, në thelb do të ndryshojnë procedurat për të përforcuar kriteret e rregullueshmërisë dhe rritur transparencën. “Qëllimi kryesor i ndërmarrjes së iniciativës ligjore për ndryshimin e ligjit aktual të regjistrimit të OJF-ve është përmirësimi i kornizës ligjore ekzistuese që lidhet me procedurën e regjistrimit të OJF-ve, nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve konkrete për thjeshtimin e dokumentacionit që u kërkohet qytetarëve për ofrimin e shërbimeve nga ana e institucioneve të administratës shtetërore, duke krijuar lehtësira dhe mundësi të marrjes së shërbimit online, me sa më pak dokumente, me kosto të reduktuar për qytetarë dhe mbi të gjitha brenda afateve të shkurtra”, ka bërë të ditur Gjonaj.









































