Ardhja e Armando Cungut në krye të Kombëtares U-19 do të sjellë një frymë të re tek moshat kuqezi. Jo vetëm kaq, por tekniku shkodran ka paralajmëruar një vëmendje të shtuar edhe ndaj elementëve të kampionatit dhe kjo i jep dimension të ri krejt trupës së kuqezinjve të vegjël, që duan një shans në karrierën e tyre. Kështu, Armando Cungu pas shumë viteve si trajner në Kategorinë Superiore, ku fitoi edhe një Kupë e Superkupë me Laçin, është rikthyer tek futbolli i grupmoshave, jo më tek Vllaznia e tij, por tek skuadra përfaqësuese. Të jesh pjesë e ngjyrave kuqezi është një ëndërr, edhe kur je futbollist, por edhe kur ke rolin e trajnerit, dhe të tillë e konsideron këtë detyrë të re tekniku shkodran. Seleksionimet e para kanë nisur, dhe për trajnerin kjo është një fazë shumë e rëndësishme për të vëzhguar ata elementë që mund t’i shërbejnë skuadrës kombëtare. Federata shqiptare e futbollit ka monitoruar fëmijë shqiptarë në të gjithë Europën, megjithatë sipas Cungut askush nuk ka prioritet nga emri i klubit ku luan, sepse aftësia do të jetë i vetmi element që do të veçojë një futbollist nga një tjetër. Përfaqësuesja shqiptare e 19-vjeçarëve ka si synim evidentimin e talenteve që në të ardhmen t’i shërbejnë kombëtares A, por edhe rezultati nuk mund të anashkalohet nga objektivat e përfaqësueses së të rinjve.
Rritja e entuziazmit tek moshat dhe besimi i dhënë nga FSHF
Cungu kujtoi që në fillim se ardhja e tij në krye të skuadrës U-19 ishte besim që ia dha FSHF. “Mendoj siç është në dëshirën apo ëndrrën e çdo futbollisti të veshë njëherë të vetme fanellën e kombëtares, e njëjta gjë ndodh edhe për trajnerët. Është besoj kënaqësia më e madhe, nderi, por edhe kulmi në karrierën e një trajneri që të jetë pjesë e kombëtares, pavarësisht nëse bëhet fjalë për moshat apo jo. Falënderoj drejtuesit e Federatës që më kanë dhënë këtë mundësi, njëkohësisht edhe ëndrra u realizua. Është një moshë e rëndësishme sa i përket të ardhmes së kombëtares A. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e vogël, por e madhe, për të bërë të zgjedhur elementin e duhur që këto djem t’i shërbejnë dhe të jenë e ardhmja e kombëtares. Jemi në fazën e vëzhgimeve, për të seleksionuar apo për të vlerësuar çdo individë që është këtu. Por, do të thërrasim edhe element të tjera, nuk do të mbesë jashtë fokusit edhe kampionati shqiptar”, nënvizoi ai. Më pas foli për lojtarët që vijnë nga jashtë, që i cilësoi të domosdoshëm, por ai pranoi e do të vëzhgohen tanji e tutje dhe elementët e kampionatit. “Unë nuk jam në grupin atyre që paragjykojnë që futbollistë që luajnë në Shqipëri apo ato që luajnë jashtë. Pak rëndësi ka për mua, talentet mund të rriten edhe në futbollin shqiptar, me problematikat dhe hallet e një Shqipërie. Jam i mendimit që ato që do jenë jashtë Shqipërisë, patjetër që duhet të vijnë dhe të bëjnë diferencën. Besoj që ekipet zinxhirë, primare është të zgjedhësh elementin e duhur, të japësh konceptet e duhura për futbollin në mënyrë që të rriten dhe të shërbejnë sa më mirë për kombëtaren A. Por, kjo nuk zbeh dëshirën apo objektivat për të qenë konkurrentë sa i përket ndeshjeve. Në kompeticion do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë dhe të jemi dinjitozë dhe kompetitivë”, vijoi Cungu.
UEFA anulon aktivitetet e U-19 për meshkuj e femra
Ndërkohë që Cungu po përpiqet të krijojë një frymë të re në ekipin e kuqezinjve 19-vjeçarë, një lajm i ri vjen nga UEFA. Kështu, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot të anulojë Kampionatin Europian 2021 të grup-moshës U-19 për femra dhe meshkuj për shkak të pandemisë COVID-19 dhe efekteve të saj në organizimin e garave. Në procesin e kësaj vendimmarrjeje, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vë në dukje se, me kufizimet aktualeve të qeverive, udhëtimet e skuadrave dhe organizimi i këtyre mini-turneve do të ishin shumë të vështira. Federatat anëtare të UEFA-s u konsultuan dhe më pas e mbështetën vendimin. Edhe pse është për të ardhur keq që asnjë turne për të rinj nuk mund të zhvillohet në sezonin aktual, shëndeti dhe siguria e futbollistëve të rinj duhet të kenë përparësi në rrethanat aktuale.








































