Shtohen nga dita në ditë telashet për Shpëtim Idrizin. Në 2017 ai mbeti jashtë Parlamentit pas marrëveshjes Rama-Basha dhe rrezikon të përsërisë të njëjtën gjë këtë vit. Basha ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me kreun e PDIU pasi demokratët nuk ja kanë shumë besën. Idrizi ka lëvizur nga njëri krah në tjetrin gjithë këto vite dhe Basha nuk ka siguri se do i qëndrojë besnik koalicionit me PD. Nga ana tjetër, PDIU po humbet nga dita në ditë anëtarë dhe në zgjedhje kjo parti mund të mos ketë shumë vota. Rasti i fundit ka ndodhur në qytetin e Peqinit, pasi ish-kryebashkiaku Saimir Hasalla, që ishte pjesë e PDIU, ka kaluar me PS. Ka qenë kreu i grupit të PS Taulant Balla që e ka konfirmuar këtë në një takim me degën e PS në Peqin. Gara në Peqin do të jetë shumë e fortë këtë herë pasi në radhën e PD është rikthyer të kandidojë Dash Sula, një emër edhe ky me shumë ndikim tek demokratët peqinas. Ndërkohë për LSI do të kandidojë Ermir Gjinishi, ish këshilltar i Ramës. Pak ditë më parë PDIU i ikën edhe shumë anëtarë në qytetin e Rrogozhinës, duke shuar entuziazmin e Idrizit.
Idrizi në mes të katër rrugëve
Zgjedhjet po afrojnë dhe PD nuk ka arritur ende një marrëveshje me PR dhe PDIU. Republikanët kanë qenë gjithmonë besnikë të PD dhe sipas burimeve, pritet që të ketë një konsensus mes Bashës dhe Mediut. Republikanët mund të marrin dy kandidatë të sigurt në Tiranë, ndërsa në rrethe do kenë emra në lista, por jo në vende 100 për qind të sigurta. Sa i takon PDIU, mësohet se Basha është në dilemë, pasi Idrizi vetëm e ka dredhur nga një koalicion në tjetrin. Fillimisht ishte me Fatos Nanon më pas shkoi me vrap te Berisha kur ky erdhi në pushet. Më pas shkoi te Rama duke marrë postin e nënkryetarit të Parlamenti. Pasi Rama e përzuri shkoi me PD. Ndërkohë pak ditë më parë e ndryshoi qëndrim brenda 24 orëve. Fillimisht Idrizi shtriu Ramës dorën e bashkëpunimit. “Mund të ketë një mundësi koalicioni me Partinë Socialiste, në qoftë se Partia Demokratike nuk e do Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Mund të ketë një mundësi”, deklaroi ai. Pra, përmes kësaj deklarate kreu i PDIU, tregon qartë që po i lutet kryesocialistit Edi Rama për bashkëpunim. Nga ana tjetër ai e sulmoi Bashën, pasi kërkoi që të hetohen ata që ishin në krye të masakrës së “21 Janarit”. “Për “21 Janarin” ku 4 veta u vranë në mes të Tiranës, padyshim që sot, pas kaq shumë vitesh, jo që duhej zbardhur, por ata duhet të dënoheshin me dënimin më të ashpër që ka Kodi Penal, që mos të përsëritej më. Ata që i kanë ekzekutuar, ata që kanë dhënë urdhër, padyshim që për mua duhet të ishin në burg, shembull që mos të ndodhte më kjo histori që të vriten njerëz për pushtet”, tha ai duke goditur Bashën, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.
Ndryshimi i qëndrimit
Një ditë më pas Rama reagoi nga Saranda duke i dhënë goditje Idrizit dhe duke i mbyllur derën e bashkëpunimit. Kjo solli sulmet e kreut të çamëve ndaj tij dhe më pas i shkoi në zyrë Bashës duke ju lutur për koalicion, duke e dredhur sërish. “Rilindasi Edvin Rama dje në Sarandë, si “cjapi që po i vjen ngordhja”, e lëshoi gojën për të gjithë ata që publikisht kanë qenë të shqetësuar nga piruetat e tij të rrezikshme me Greqinë. Një nga ata që u anatemuan se kishin shqetësuar kot dynjanë dhe “faraonin” për zgjerimin nga 6 në 12 milje të detit territorial grek në drejtim të Jonit dhe Shqipërisë, isha dhe unë. “Faraoni” që nuk skuqet kur i bën avokatinë Greqisë, “që ajo ka të drejtë dhe nuk e ka me ne”, e lëshoi gojën jo sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë, por si llazorja e dikurshme e pazarit që përgojon e shtrembëron emra e pasthirrma, gjë që më kujtoi Gëzim Kulufin e viteve ‘80-‘90-të, që vërtitej nëpër Tiranë e s’linte njeri pa ngacmuar, por gjithsesi ishte më i mirë se ky, se nuk bënte dëme”, ka deklaruar Idrizi.









































