Presidenti Ilir Meta po tregon nga dita në ditë se ka lënë kostumin e presidentit dhe ka marrë në dorë LSI. Përveç sulmeve dhe akuzave që lëshohen çdo ditë ndaj qeverisë, duket se tashmë kreu i shtetit po përzgjedh edhe kandidatët e LSI në zgjedhjet e 25 prillit. Ose për të qenë më të saktë, Presidenca është kthyer në dyqan furnizimi për listat e LSI. PS ka nisur një aksion për t’i marrë partisë së presidentit figurat kryesore dhe militantët. I gjendur përballë kësaj situate, ku nuk ka kandidatë potencialë në shumë vende, Meta ka futur në lojë këshilltarët e tij. Në nëntor të vitit që lamë pas bëri bujë lajmi i dorëheqjes së Bahri Shaqirit nga posti i këshilltarit për Sigurinë, por ai u katapultua kandidat i LSI në qytetin e Durrësit. Por ai nuk do të jetë i vetmi, pasi të njëjtën skemë Meta ka ndjekur dhe me Shemsi Prençin, i cili ishte këshilltar i tij për Emergjencat Civile. Ky i fundit dikur ishte pjesë e administratës socialiste, por pasi u shkarkua nga posti i kreut të Emergjencave Civile, Meta e mori këshilltar. Por duket se dhe ai ka ndjekur gjurmët e Shaqirit, pasi do ta jetë në listat e LSI po në qytetin e Durrësit. Ajo që bie në sy është se presidenti po blindon listat e kandidatëve me persona që vijnë nga radhët e SHISH dhe policisë. Bahri Shaqiri ka qenë kryetar i Shërbimit Informativ, ndërsa Shemsi Prençi ka pasur një karrierë të gjatë në polici, duke drejtuar disa drejtori. LSI mori goditje të madhe në këtë qytet sepse i iku Lefter Koka, personi kyç i votave. Ai u bashkua me PS dhe tashmë Meta po dërgon policë dhe shiksa aty për të kompensuar dëmin.
Reagon Meta
Lajmin e largimit të Prençit e dha vetë Ilir Meta në rrjetet sociale, por pa e specifikuar se ai e kishte dërguar kandidat të partisë së tij në Durrës. “Këshilltari për Çështjet e Emergjencave Civile, z.Shemsi Prençi, pasi më informoi si çdo ditë, për situatën e përmbytjeve në mbarë vendin dhe gjendjen e banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora, më njoftoi sot dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, për shkak të angazhimeve të tij të reja në të ardhmen. E falënderova për këshillat e vlefshme, përkushtimin, korrektësinë, profesionalizmin dhe ndjenjat atdhetare të dëshmuara prej tij gjatë bashkëpunimit tonë të frytshëm për gati dy vite. Duke e pranuar dorëheqjen e z.Prençi, i urova suksese për të ardhmen”, tha Meta.
Reagon Prençi
Ishte vetë zoti Shemsi Prençi, ai i cili përmes një postimi në rrjetet sociale lajmëroi se ka lënë detyrën në Presidencë për të kandiduar krah LSI në Durrës. “Për miqtë e mi të dashur dua të ndaj sinqerisht arsyet e dorëheqjes. Bazuar në propozimet dhe ofertat e Opozitës së Bashkuar edhe pse kam pasur propozime për kandidim në zgjedhjet e datës 25 prill 2021, nga disa degë të Partisë Demokratike si në Dibër, Bulqizë, Kamëz, Sukth etj, si dhe nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, kam pranuar dhe vendosur kandidimin tim si kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun Durrës. Pra ju informoj se kam paraqitur kërkesën për dorëheqje pranë Presidentit të Republikës në zbatim të ligjit për zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë sepse gjithmonë kam qenë nëpunës korrekt me zbatimin e ligjit”, tha ai. LSI kohët e fundit është përballur me shumë largime dhe sipas informacioneve Kryemadhi po has shumë vështirësi për kandidatë “të fortë” përballë PS-PD, por duket se situatën e ka marrë në dorë Meta, i cili ka dërguar këshilltarët e tij ta mbështesin.








































