Kërkesa për shkarkimin nga detyra për gjyqtaren e Krujës Enkeleida Hoxha ka përplasur institucionet. Në seancën e zhvilluar dje, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë për më 25 shkurt kërkesën e ILD-së për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila u prangos me urdhër të SPAK, pak ditë më parë. Gjyqtarja Hoxha nuk ishte e pranishme në seancë, ndërsa u përfaqësua nga avokati i saj, Ardian Visha. Avokati kërkoi pezullim të procesit me pretendimin se magjistratja Hoxha duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje. Por Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, doli kundër shtyrjes së seancës. Ai theksoi se procesi përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Metani bëri me dije se kjo nuk duhet të ndodhte sepse sipas tij, hetimi për gjyqtaren ka nisur që më datën 16 korrik 2020 dhe palët kanë pasur mjaftueshëm kohë që të njihen me dokumentet dhe të mbledhin provat e nevojshme. “Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date magjistratja është njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe magjistratja ka pasur mundësi e kohë për mbrojtjen”, tha ai. Ndër të tjera, Metani teksa iu drejtua avokatit të gjyqtares u shpreh se edhe ai ka pasur kohë në dispozicion për këtë çështje. Metani theksoi se sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati i gjyqtares, nuk kishte asnjë propozim. “Edhe avokati ka pasur kohë sepse është caktuar më 27 janar. Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem do e shqyrtoj edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje”, tha Metani.
Shkarkimi i gjyqtares nga detyra
Këshilli i Lartë Gjyqësor pezulloi dy ditë më parë nga detyra gjyqtaren Enkeleida Hoxha. Gjyqtarja e Krujës është pezulluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas arrestimit me urdhër të SPAK. Vendimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor është marrë ditën e djeshme, pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka lënë gjyqtaren në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Në njoftimin e bërë nga KLGJ thuhet se pasi u njoh me vendimin e Gjykatës së Posaçme vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtares. “Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën u njoh me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për magjistraten, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor. Pasi dëgjoi relatimin nga Komisioni Disiplinor, Këshilli me vendimin nr. 53, pezulloi nga detyra magjistraten, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor”, thuhet në njoftim. Gjyqtarja Enkeleida Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi në funksionin e saj publik lironte persona me dënime për vepra të rënda penale, kundrejt përfitimeve personale. Nga hetimet e bëra gjyqtarja nuk ishte e vetmja, pasi bashkë me të u arrestuan dhe 9 persona të tjerë. Dy seancat e mëparshme janë shtyrë me kërkesë të vetë gjyqtares, e cila ka kërkuar kohë për t’u njohur me materialet. Mësohet se shkelja më e rëndë e gjyqtares është bërë në rastin e Hekuran Billës, ku gjyqtarja i ka ulur më shumë dënim se sa parashikon ligji. Ndërsa dy procedimet e tjera janë pezulluar për momentin pasi çështjet janë ende në Gjykatën e Apelit.









































