Google search engine
Home Politike Rama nis “vetingun” për deputetët/ Kërkon nga krerët e degëve raport për...

Rama nis “vetingun” për deputetët/ Kërkon nga krerët e degëve raport për punën e gjithsecilit, ja qarqet ku priten spastrime drastike në lista

0
343

Kryeministri Edi Rama ka futur në skaner të gjithë deputetët. Zgjedhjet e 25 prillit po afrojnë dhe jo të gjithë do jenë në listat e kandidatëve. Që në vjeshtën e vitit 2020 kryeministri ua bëri të qartë deputetëve në një takim në Elbasan se kush nuk punon në bazë do të kalojë në stolin e rezervave. Në muajin mars, lista e kandidatëve për deputetë duhet që të jetë gati dhe kryeministri duket se po bën verifikimet e fundit për shumë emra që nuk e bindin. Gazeta ka mësuar se kryeministri ka kërkuar nga të gjithë krerët e degëve të PS, nga një raport për punën e çdo deputeti. Kreu i qeverisë do të shohë se kush ka qenë më aktiv, kush ka më shumë mbështetje dhe sa garanci ka për të siguruar më shumë vota se në 2017. Pra janë krerët e degëve ata që do të përcaktojnë fatin e shumë emrave, pasi mësohet se kryeministri ka kërkuar dhe projeksione votash. Pra secili deputet, por dhe secila degë në total duhet të ketë një pasqyrë se sa vota ka të sigurta më 25 prill. Atje ku ka rënie dhe luhatje pritet të ketë largime. Ndërkohë gazeta ka mësuar se raporti që do të dërgojë baza, ka krijuar rivalitet dhe përplasje mes deputetëve. Në qarqe të vogla jo të gjithë e kanë të sigurt kandidimin dhe dega e PS mund të vendosë fatin e shumë emrave. Sipas informacioneve, shefi i qeverisë po tenton të krijojë një “databazë” me punën e gjithsecilit. Raportet e bazës do të krahasohen më pas me raportet që dërgojnë çdo javë koordinatorët dhe në fund do të përcaktohen emrat që do të rikandidojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Qarqet ku do ketë lëvizje

Burime shumë të sigurta në PS, kanë bërë me dije se kryeministri Rama do të sjellë shumë emra të rinj në zgjedhjet e 25 prillit. Ai e ka vënë si qëllim marrjen e mandatit të tretë dhe futja e personazheve me peshë shihet si një nga strategjitë. Në Elbasan u prezantua pak ditë më parë vajza e ish-gjyqtarit Xhevat Hana, një emër shumë i njohur në këtë zonë. Emra të tillë pritet të ketë në shumë qare që janë vendimtarë për këto zgjedhje. Sipas burimeve, Durrësi do të jetë kryeqendra e betejës së 25 prillit dhe për këtë arsye, PS aty pritet të vijë me shumë personazhe të reja. Deri më tani në listën e Durrësit janë konfirmuar si kandidatë Edi Rama, Lefter Koka dhe Ardian Çela, emra që nuk kanë qenë në listën e 2017. Futja e tyre do të sjellë largimin e disa emrave të tjerë. Elbasani është një tjetër qark ku të gjitha partitë synojnë të marrin sa më shumë mandate. Nga PS të sigurt kandidimin deri më tani e kanë Taulant Balla, Evis Kushi dhe Anastas Angjeli, ndërsa pjesa tjetër mund të jenë emra të rinj. Fieri me Korçën po ashtu janë dy qarqe, ku PS pritet të sjellë disa emra të rinj. Në Fier PS synon sërish 10 mandate dhe një pjesë e emrave të njohur (Ruçi, Fino, Braçe, Koçi) do jenë në listë, por që krijohen hapësira dhe për emra të rinj. Ndërkohë në Korçë të vetmit që e kanë të sigurt kandidimin janë Niko Peleshi dhe Eduart Shalsi. Shkodra mund të ketë po ashtu prurje të reja, pasi rikandidimi i Ditmir Bushatit dhe Senida Mesit shihet i vështirë. Sa i takon Tiranës, emrat kryesorë pritet të mbeten në garë, por në lojë do të hyjnë dhe disa ministra që janë pa mandat deputeti. Deklarata e ambasadores Yuri Kim kanë trazuar pak ujërat në PS, pasi disa ish-deputetë të larguar nga PDIU dhe LSI prisnin të futeshin në lisat e kandidatëve të PS, por mësohet se pas ultimatumit amerikan Rama është tërhequr. Megjithatë të gjithë deputetët aktualë të PS janë në ankth, pasi edhe në mbledhje grupi të hënën, Rama ja u bëri të qartë se askush nuk e ka vendin e sigurt në “formacion”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here