Gjykata e Posaçme së fundmi, ka fundosur një rrjet trafikantësh të emigrantëve të paligjshëm, duke shpallur fajtorë plot 14 të arrestuar. Përmes një njoftimi për shtyp gjykata njofton se, bëhet fjalë për 14 të arrestuar të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin në mënyrë të jashtëligjshme shtetas të huaj, duke funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Konkretisht gjykata jep detaje se personat në fjalë trafikonin shtetas të ndryshëm për në shtete të ndryshme nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, kryesisht SHBA, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar, etj. Po ashtu gjykata njofton se për afro 3 vite janë hetuar kryesisht klandestinë nga Lindja e Mesme, shtetas kinezë dhe shtetas shqiptarë që pajiseshin me pasaporta amerikane false, deri në finalizimin e operacionit “Rruga e Gabuar”. Ndërkohë theksojmë se vendimi me akuzat për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal” është marrë konkretisht për K. Gjoka, i cili është dënuar me 5.8 vite burg, A. Ziguri i cili është dënuar me 5.4 vite burg, D. Seferi i cili është dënuar me 4 vite burg, D. Tafani i cili është dënuar me 4 vite burg, L. Markaj i cili është dënuar me 5.4 vite burg, R. Hoxha i cili është dënuar me 5.4 vite burg, I. Margo i cili është dënuar me 3.4 vite burg, G. Shehu i cili dënohet përfundimisht 3.4 vite burg, E. Mema i cili është dënuar me 3.4 vite burg, Ç. Tefa i cili është dënuar me 3.4 vite burg, A. Emini i cili është dënuar me 3.4 vite burg, G. Mëzuraj i cili është dënuar me 3.4 vite burg, V. Hasan Gjolleshi, të masës mjekësore “Mjekim i detyrueshëm në një institucion mjekësor”. Ndër të tjera në njoftimin për shtyp gjykata gjithashtu thekson se nga hetimet e kryera ka rezultuar se disa nga shqiptarët e trafikuar me dokumente falsë janë ndaluar në aeroportin e Xhamajkës dhe disa në Kanada, ndërsa nisja e tyre bëhej nëpërmjet Podgoricës për të mos u identifikuar në Rinas. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin datë 10.02.2021, ka vendosur deklarimin fajtor të të gjithë të pandehurve.
Të arrestuarit kryenin falsifikime masive të dokumenteve
Të arrestuarit e sipërpërmendur për të cilët gjykata ka vendosur në total 50 vite e 4 muaj burg rezultojnë se në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët hetimet vazhdojnë, kryenin falsifikime të dokumenteve, si letërnjoftime, pasaporta, viza, vula, duke pajisur me dokumente të falsifikuara persona të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar dhe material. Ndërsa në njoftimin për shtyp nga gjykata theksohet gjithashtu se ky procedim penal është bërë më datë 20.12.2019 konkretisht për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Theksojmë sërish se trafikimi i shtetasve të huaj ku përfshihen klandestinë nga Lindja e Mesme, shtetas kinezë dhe shtetas shqiptarë bëhej nga 14 të arrestuarit, në shtete të ndryshme, kryesisht SHBA, Kanada dhe Mbretëria e Bashkuar duke u pajisur me pasaporta amerikane false.





































