Google search engine
Home Politike Drejtesi Dalin emrat, ja të ngelurit në veting që i janë drejtuar Strasburgut,...

Dalin emrat, ja të ngelurit në veting që i janë drejtuar Strasburgut, vendimi për Altina Xhoxhajn venit shpresat për rrëzim të KPK-KPA

0
373

Altina Xhoxhaj nuk është e vetmja që iu drejtua Gjykatës së Strasburgut për të rrëzuar vendimet e vetingut kundër saj. Sipas informacioneve, janë mbi 10 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ndërmarrë të njëjtin hap edhe pse me vendimin për Xhoxhajn shpresat e tyre janë venitur. Gazeta “SOT” ka siguruar emrat e disa prej atyre që kanë bërë ankimim në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se proceset në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit apo Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk kanë qenë të drejta. Një ndër emrat që e ka ndërmarrë këtë hap është Antoneta Sevdari. Kjo e fundit ishte anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por KPA vendosi kundër saj. Shkarkimi i saj shkaktoi shumë polemika, pasi kishte shumë nga ata që pretendonin se e meritonte të rrinte në detyrë. Megjithatë zonja Sevdari i është drejtuar zyrtarisht Strasburgut dhe do jetë kjo gjykatë që do të vulosë gjithçka. Një emër tjetër është ish-prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani. Kjo e fundit është ndër të parat që hyri në procesin e vetingut dhe u shkarkua nga detyra me vendim të formës së prerë. Por Nikëhasani pretendon se ndaj saj nuk ka pasur një proces të drejtë ligjor. Rrugë të ngjashme mësohet se ka ndjekur dhe Rovena Gashi, ish-prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme. Rasti i kësaj të fundit u shoqërua me shumë debate në KPK, pasi u mbrojt nga motra e saj. Edhe Gashi i është drejtuar Strasburgut. Po ashtu emra të tjerë janë ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Durrësit Besim Trezhnjeva dhe ish-prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova. Emrat e mësipërm pretendojnë se në procesin e vetingut është cenuar neni nr.6 i Konventës, i cili flet për të drejtën e një gjykimi të drejtë. Ankuesit pretendojnë proces të parregullt ligjor. Ata kundërshtojnë ligjin ku bazohet vetting-u, ngrenë dyshime për pavarësinë e KPK dhe KPA, apo edhe në ligjshmërinë e emërimit të anëtarëve të tyre. Madje disa kanë qenë dhe pjesë e procesit ku vendimet janë marrë nga anëtari i KPA, Luan Daci, i cili është në proces gjyqësor pasi dyshohet se ka mashtruar me të dhënat.

Precedenti dhe ndërhyrja e politikës

Pavarësisht se janë të shumtë ata që i janë drejtuar Strasburgut dhe proceset kanë qenë të ndara, vendimi që u mor për Altina Xhoxhajn në thelb legjitimon vetingun. Pra ankesat që kanë të bëjmë me ligjin, me trupat gjykueset, etj., pritet të rrëzohen sërish. E vetmja shpresë e anëtarëve janë procesi individual që është ndjekur ndaj tyre, nëse ka qenë apo jo sipas ligjit. Ndërkohë gazeta ka mësuar se Strasburgu po përdorej si lëvizje edhe nga disa pushtetarë që nuk e duan reformën në drejtësi. Burime shumë të sigurta bëjnë me dije se këta pushtetarë kanë nxitur dhe kanë asistuar shumë emra që të ndjekin rrugën e Strasburgut. Numri është mbi 10, ndërkohë ka shumë të tjerë që mund të bëjnë ankimime. Sigurisht shumica janë jashtë politikës, por ka dhe nga ata që politika po tenton t’i përdorë për të rrëzuar vetingun. Vendimi që u dha për Altina Xhoxhajn duket se i shkundi të gjithë armiqtë e reformës. Vetingu u cilësua si një proces tepër i drejtë dhe që nuk prek të drejtat e njeriut, çka do të thotë se dhe emrat e tjerë do e kenë shumë të vështirë që të fitojnë betejën aty, pasi Strasburgu zakonisht ecën sipas precedentëve. Nëse edhe emrat e tjerë kanë bërë padi të ngjashme, atëherë vendimi do të jetë i njëjtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here