Vuloset zyrtarisht ndarja mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit. Dje partia e Monika Kryemadhit ka dorëzuar dje kërkesën në KQZ për t’u regjistruar si subjekt politik duke e bërë të qartë se do të dalë më vete në këto zgjedhje. Pak ditë më parë ishte PDIU ajo e cila e mori një vendim të tillë ndërsa tashmë është partia e Kryemadhit. Por regjistrimi si subjekt më vete ka prishur planet për të dalë me një listë unike kandidatësh në qarqet e vogla. Në disa intervista Monika Kryemadhi është shprehur se në qarqe si Berati, Kukësi, Dibra etj, opozita mund të dalë në një listë të përbashkët, por kjo duket se është e pamundur. Një ditë pasi Partia Demokratike dhe parti të tjera të kampit opozitar paraqitën në KQZ kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 25 Prillit, të njëjtin veprim ndërmori edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi foli në lidhje me koalicionet ku u shpreh se partitë politike kanë mundësi të konkurrojnë në lista të përbashkëta ose më vete. Celibashi tha se nëse kandidohet qoftë më vete apo në koalicion, duhet ta paraqesin listën shumë emërore të kandidatëve. Ai u shpreh se kandidatët duhet të paraqiten në të gjitha qarqet, pasi nuk lejohet të kandidojnë në disa vende si koalicion dhe në disa të tjerë më vete. “Sa u takon koalicioneve, mendoj se Kodi Zgjedhor, pa e gjykuar se sa i mirë është apo dispozita që ka të bëjë me sistemin e votimit, është i qartë në lidhje me këtë çështje, se si duhet të organizosh. Një parti mund të konkurrojë ose e vetme, ose në koalicion. Nëse konkurron me koalicion, ai është uniform në të gjithë qarqet. Ose do të jesh në koalicion, ose do të jesh më vete. Në kuptimin që unë i jap Kodit, ti mund të konkurrosh ose me vete, ose në koalicion, në të gjitha qarqet. Pra duhet të paraqesin kandidatë për të gjitha qarqet, pasi nuk lejohet. Duhet listë emërore të kandidatëve”, tha Celibashi.
Celibashi flet për financimin e partive politike
Në lidhje me Kodin Zgjedhor, kreu i KQZ u shpreh se ka përmirësime në lidhje me kompetencat e shtuara për kontrollin e financimit të partive politike. Celibashi tha se është e vështirë të kontrollohet e tëra pasi kërkon ndërgjegjësim nga partitë politike për transparencë të financimeve. Ai u shpreh se problemi qëndron tek financimi i politikës nga biznesi dhe paratë e pista që vijnë prej tyre por sipas tij ndryshimet e reja që janë bërë në Kodin Zgjedhor, pritet që të sjellin një sërë rezultatesh pozitive. “Kodi Zgjedhor ka përmirësime, ka kompetenca të shtuara të KQZ-së lidhur me kontrollin e financimeve të partive politike. Por gjithsesi, mendoj që është shumë e vështirë, pasi transparenca e financimeve kërkon ndërgjegjësim të partive politike dhe shoqërisë në tërësi. Nuk mendoj se do të kemi një kapërcim cilësor, jemi një shoqëri që në themel të saj ka shumë probleme. Ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor do të sjellin rezultate më pozitive. Biznesi dhe politika vazhdojnë të kenë marrëdhënie, duam apo nuk duam ne. Problemi janë paratë që vijnë nga bota e krimit. Është problem edhe financimi i politikës nga biznesi jo në përputhje me ligjin”, tha Celibashi.


































